Babai i Andi Malokut dëshmon në GJKKO: Më tha na kanë qëlluar! Dua të di pse ma vranë djalin?

Para Gjykatës së Posaçme ka dëshmuar sot edhe Genci Maloku, babai i Andi Malokut, i cili humbi jetën në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, në nëntor të vitit 2019 në Sukth. Maloku rrëfeu momentet e fundit të komunikimit me të birin, i cili ishte shoferi i prokurorit dhe u plagos rëndë në atentat, duke ndërruar jetë shtatë ditë më pas në spital.

Në dëshminë e tij, ai tregoi se pas ngjarjes ishte informuar nga shtetasi Landi Muharremi (i njohur si “Rrumi”) se pas atentatit qëndronte Plaurent Dervishaj dhe grupi i tij. Ai përmendi gjithashtu vizita nga familjarë të Redjan Rrajës dhe marrjen e një USB-je me pamje të personave të dyshuar. “Unë dua të di të vërtetën. Pse ma vratë djalin?”, tha ai, duke iu drejtuar të pandehurit Dervishaj në sallën e gjyqit.

Dëshmia në gjyq: 

Genci: Arjan Ndoj tani mbrapa po më para skam pas. Djali ka qenë kamarier dhe pastaj shoferi i prokurorit. 1 muaj para ngjarjes është punësua.

Lëvizte me mjetin qe ndodhi ngjarja. Arjan Ndoja punonte në Durrës prokuror. Ditën e ngjarjes isha në shtëpi. Më mori djali jam keq o babi, na kanë gjujt. Ka qenë ora 4:30, 5 sa po dilja të pija kafe.

Babi kshu-kshu na kanë gjuajtur. Mendova se po bënte shaka.

Kam shkuar në spitalin Ushtarak. Kam folur me djalin dhe më tha ‘po ecnim nuk ishim shpejtë dhe kur na del një makinë. Kishin qenë në një restorant. Në makinë bashkë me djalin ka qenë prokurori dhe ‘Rrumi’.

Pas ngjarjes jam takuar me Arjanin, na ka ardhur te shtëpia, Rrumi ishte në spital. Djali ndërroi jetë pas 7 ditësh. Doja ta dija arsyen pse ka ndodh. Arjan Ndoja dhe Rrumi nuk dinin gjë, më pas më tha Rrumi se vrasjen e ka paguar Plaurent Dervishaj me grupin e tij. Kanë ardhur familjarët e Redjan Rrajës te shtëpia. Ata kanë ardhur me porosi të babës së Redjanit dhe na thanë ‘s’kemi konflikte’. Unë i thash dua ta di të vërtetën. Arjol Halilaj erdhi, e njoh nga TV. Halit Valteri e njoh e thirra un. Një USB ma lanë te porta dhe në të kishte një burrë me kapele Redjan Rraja dhe një qeros dhe duken që ikin kur kanë dashur me djeg makinën.

Unë di që autorët janë këto që janë në burg.

Palurent Dervishaj dhe Jualian Meçaj nuk i njoh.

Vullnet Muça është vëllai i Rrumit, e kam takuar. Unë akoma se kam mësuar për kë kanë gjuajtur, për Rrumin a për Arjanin.

Plaurent Dervishaj: Kur Rrumi ka përmend emrin tim, të ka thënë gjë tjetër?

Genci:Jo nuk e dinte fare mbi arsyet.

Genci: Arben Mërkurin e njoh, e di që thirrej me nofkën Maneci. Në telefon më ka ardhur një mesazh në emër të Plaurent Dervishaj. Më ka shkruar: Jam Plaurenti. Kam bërë kallëzim tek komisariati 6.

Genci: Mirë djalin, po mua pse ke dashur me m’vra, pa ju bërë asgjë.

Plaurenti: Hajde më tako një ditë dhe ta sqaroj.

Genci: Pse ma ke vra djalin. Çfarë të bëri djali.

Plaurenti: A ta ka përmend Rrumi emrin tim?/Elton Qyno