edi rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zbuluar ndryshimet që do të pësojë ligji për ndërtimet në vend, me qëllim forcimin e kontrollit mbi territorin. Në një konferencë për mediat, së bashku me ministrin e drejtësisë Besfort Lamallari, dhe ministren e brendshme Albana Koçiu, Rama tha se asnjë qytetar nuk do të lejohet të hyjë në banesë, pa u pajisur me parë me certifikatën e pronësisë. Po ashtu një tjetër ndryshim në ligj është rritja e garancisë së projekteve të ndërtimit, ku arkitektët do të ngarkohen me përgjegjësi ligjore për çdo devijim apo ndryshim në fazën e implementimit të projektit.
“Kjo është një qasje 360 gradë që shtrihet në të gjitha drejtimet e konstatuara si problematike, do të na japë rezultate të konsiderueshme, pasi krijon kushtet për një disiplinim të të gjithë procesit të ndërtimit. Jo vetëm për ndërtimet pa leje, por edhe ato me leje, për njerëzit që paguajnë për të blerë një shtëpi, dhe më pas hasen me pamundësinë për të hyrë në shtëpi, apo për ta regjistruar në emrin e tyre. Po i marr me radhë se janë masa që i drejtohen edhe aktorëve të ndryshëm në këtë proces.
Rritja e garancisë të zbatimit të projekteve artikturore, arkitekti ngarkohet me përgjegjësinë e ndjekes së projektit, ngarkohet me përgjegjësinë për çdo devijim nga projekti, pasi në rast se arkitekti i ikën përgjegjësisë, është ai që paguan pasojat”, u shpreh Rama mes të tjerave.
“Nuk do të lejohet më që godinat, pallatet pa certifikatë përdorimi të firmosin kontrata për energji elektrike dhe furnizim me ujë. Nuk do të lejohen të futen në apartamente pa përfunduar siç duhet objekti dhe pa u pajisur njerëzit me Hipotekën.E kanë paguar me gjithë kursimet e tyre, por nuk janë pronarë me letra. Një gjë e papranueshme dhe e patolerueshme më tutje. E gjithë kjo pjesë lidhet me procesin kur janë të përfshirë aktorët institucionalë, që nga arkitekti deri te Agjencia e Zhvillimit të Territorit apo bashkitë, si edhe vetë agjencitë që garantojnë furnizimin me energji dhe ujë”, vijoi fjalën e tij kryeministri.
Ndryshimet në ligj, detyrojnë bashkitë që të kryejnë 6 kontrolle të detyrueshme në fazën e ndërtimit të projekteve, të cilat duhet të mbyllen brenda afateve të parashikuara në dokumentacion. Po ashtu, Rama tha se të gjithë ndërtuesit që do të kapen në shkelje të projekteve, do të futen në listën e zezë dhe nuk do të pajisen më me leje, përveç gjobës që do të marrin për shkelje. /ZËRI
