Zbardhen EMRAT e ekzekutorëve të Edmir Bregut në 2021, njëri u vra me kallashnikov në maj në Durrës

edmir bregu-(ekzekutori) ermir dedja

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i djeshëm i SPAK që goditi një grup kriminal në zonën e Shijakut, ku u zbulua vrasja e 32-vjeçarit, Edmir Bregu në 2021 në Durrës. 
Alfred Doka, i shpallur në kërkim, dhe Ermir Dedja, i cili rezulton i vdekur, dyshohet se janë ekzekutorët e të riut, ngjarje që u krye për llogari të Aldo dhe Astrit Avdylit. 29-vjeçari Ermir Dedja u vra në muajin maj të këtij viti në lagjen nr18 të Durrësit. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një qendre shëndetësore teksa i riu po lëvizte në këmbë, ku persona e qëlluan për vdekje me plumba kallashnikovi, nga një makinë e bardhë tip “Seat”. 
Lidhur me ngjarjen e 2021, Astrit Avdylaj dyshohet është porositësi i vrasjes në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, Aldo Avdylaj. Ndërkohë, Aldo Avdylaj akuzohet si organizator.

Bëhet fjalë për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2021, kur Edmir Bregu u qëllua dy herë në kokë dhe në gjoks sapo zbriti nga makina në lagjen 16 të qytetit bregdetar.
Vrasje për hakmarrje- si u ekzekutua nga Avdylajt, Edmir Bregu
Edmir Bregu apo Ilir Kuçi u qëllua me breshëri kallashnikovi sapo doli nga makina e tij luksoze në lagjen nr.16 të qytetit bregdetar. Vrasja që asakohe u raportua si konflikt i çastit, pas katër vitesh u zbulua se ishte një ekzekutim për hakmarrje. Konkretisht viktima Edmir Bregu kishte tentuar të vrite nipin e Astrit Avdylajt, Aldo Avdylaj. 
Vrasja e Edmir Bregut u porosit nga Astrit Avdylaj, për hakmarrjen për tentativën e ekzekutimit të nipit të tij. SPAK thotë se drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë Aldo Avdylaj, si ndihmës dyshohet të jetë Enea Kume(vëllai i deputetit të PS), ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë Alfred Doka dhe shtetasi E.D ( të dy në kërkim).
Dy ekzekutorët pritën momentin kur 32-vjeçari, me origjinë nga Hasi ka parkuar “Porsche Cayenen” në ‘bazën’ e tij, pranë shtëpisë së vjehrrit. Qitësi, i ‘sistemuar’ në sediljen e pasme të makinës me ngjyrë të zezë ka qëlluar me breshëri kallashnikovi, duke i marrë jetën. Në 2021 Edmond Bregu alias Ilir Kuçi ishte denoncuar shumë herë nga banorët e qytetit të Durrësit për kanosje.
Në lidhje me vrasjen e Bregut, në pranga është vendosur vetëm Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume. Astrit Avdylajt masa e arrestit do i komunikohet në burg, pasi ndodhet në qeli edhe për operacionin “Revanshi”. Nipi i tij, Aldo Avdylaj dhe dy ekzekutorët Alfred Doka dhe shtetasi E.D, janë shpallur në kërkim. Megjithatë SPAK shton se është duke hetuar më tej për të zbuluar përfshirjen e emrave të tjerë në grupin kriminal, por edhe shkaqet që sollën përplasjen e parë./ZËRI