Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ka dëshmuar sot pranë Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me dosjen “5D”, ku prej dy vitesh drejtuesit e kësaj kompanie, Maringlen Qato dhe Redi Molla, qëndrojnë prapa hekurave. Në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë, Mazniku ka deklaruar se dy ish-drejtorët e Bashkisë, Qato dhe Molla, kanë pasur marrëdhënie të mira, por nuk kishte dijeni nëse ata kishin pasur interesa financiare te kompania “5D”.
Arbjan Mazniku, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe aktualisht deputet i Partisë Socialiste, shmangu përgjegjësitë për aferat e drejtorëve të arrestuar në kuadër të dosjes “5D”. Gjatë dëshmisë së tij para Gjykatës së Posaçme për këtë dosje, i thirrur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarit, Mazniku tha se ai vetëm vendoste firmën pasi ishin ezauruar të gjitha etapat e procedurave të prokurimeve publike.
“Në vitin 2019-2020 kam qenë nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Kam qenë i autorizuar nga kryetari për autoritetin kontraktor. Firmosja ishte vetëm një hallkë e ndryshme e procesit. Me Qaton, Mollën dhe Tushën njihem dhe kam pasur marrëdhënie shumë të mira me ta. Nestori Muhametllari nuk e njoh. Gjatë kohës që kam qenë në detyrë, kam pasur kontakte me Mollën dhe Qaton. Nuk kam pasur dijeni nëse Qato dhe Molla kanë pasur interesa financiare te kompania 5D.”
Dosja “5D” ndodhet aktualisht në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të thirrur nga SPAK.
Kujtojmë se Arbjan Mazniku, në kohën kur ka mbajtur detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, ka qenë edhe kryetar i Këshillit Administrativ të kompanisë Tirana DC, një shoqëri aksionere në pronësi të Bashkisë së Tiranës, e cila u drejtua fillimisht nga Redi Molla dhe më pas nga Maringlen Qato, dy drejtorët e arrestuar me akuzën e përfitimit të miliona lekëve nga paratë publike përmes kompanisë “5D Konstruksion”. Për Maznikun ka pasur akuza edhe për përfitime të paligjshme nga fondet publike, ku, përmes kompanisë së bashkëshortes së tij, Marinela Lika, dhe bashkëshortes së Endri Fugës, Besa Fuga, si dhe restorantit që ishte në pronësi të tyre, kanë fituar një tender prej 800 mijë eurosh nga paratë publike.
