albana koçiu
TIRANË- Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, prezantoi sot drejtorin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj. Merkaj merr detyrën pas dorëheqjes së Florjan Sulejmanit, në korrik të këtij viti, i cili u pezullua për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Merkaj ka drejtuar edhe me herët kur AMP ishte e emëruar Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA). Gjithashtu ai ka mbajtur edhe disa poste në Policinë e Shtetit. Ai ka qenë më parë drejtor kufiri dhe drejtor i Policisë Kriminale. Së fundmi ai ka qenë edhe këshilltar i drejtoreshës së BKH-së.
Postimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet një hallkë thelbësore në garantimin e integritetit, etikës dhe profesionalizmit të punonjësve të institucioneve që ajo mbikëqyr.
Gjatë prezantimit të drejtuesit të ri të kësaj Agjencie, z. Eduart Merkaj, theksova se çdo shqetësim apo ankesë e qytetarëve duhet të trajtohet me prioritet dhe përgjegjësi të plotë.
Qytetarët meritojnë dhe do të kenë një njësi mbikëqyrëse të paanshme dhe profesionale, ky është angazhimi ynë i pandryshueshëm.
