Hegseth përsërit ‘etosin e luftëtarit’ në fjalimin para gjeneralëve më të lartë amerikanë

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka njoftuar se ushtria amerikane do të kërkojë që luftëtarët të përmbushin “standardin më të lartë mashkullor” në testet e aftësisë fizike, duke pranuar se kjo mund të përjashtojë disa gra nga shërbimi.

“Standardet duhet të jenë të njëtrajtshme, neutrale në aspektin e gjinisp dhe të larta,” u tha Hegseth oficerëve të lartë të ushtrisë amerikane në një fjalim të pazakontë në një bazë pranë Uashington DC-së.

Para qindra udhëheqësve ushtarakë, sekretari i mbrojtjes përsëriti vizionin e tij për një “etos luftëtari” në Pentagon, që përfshin kryerjen e një testi fizik dy herë në vit dhe përmbushjen e disa kërkesave për gjatësi dhe peshë trupore.

Pas Hegsethit ishte planifikuar të fliste edhe presidenti Donald Trump.

Masat e sigurisë ishin jashtëzakonisht të forta për samitin në Bazën e Korpusit të Marinës në Quantico, një kompleks i madh prej 55,000 akrash në Virxhinia.

Qindra udhëheqës ushtarakë, përfshirë gjeneralë dhe admiralë të dislokuar në të gjithë botën, ishin të pranishëm. Kjo përbën një mbledhje të rrallë të kaq shumë drejtuesve të lartë në një vend të vetëm.

Asnjë arsye zyrtare nuk u dha publikisht kur drejtuesit u thirrën me nxitim javën e kaluar, gjë që nxiti shumë spekulime mbi atë çfarë do të thoshin Trump dhe Hegseth.

Pjesa më e madhe e fjalimit të Hegsethit u përqendrua te kultura e ushtrisë amerikane, trajnimi, udhëheqja dhe “rregullimi i dekadave të kalbëzimit”, përfshirë programet e DEI-t (diversitet, barazi dhe përfshirje) dhe promovimin e një trupe oficerësh të prirur për t’iu shmangur rrezikut.

Ai tha se këta oficerë ishin shkurajuar nga “shqetësimet për ndryshimet klimatike”, “mbeturinat progresiste” dhe frika se mos etiketoheshin si udhëheqës “toksikë”.

“Ushtarët tanë kanë të drejtë të drejtohen nga udhëheqësit më të mirë dhe më të aftë,” shtoi ai. “Për shumë kohë, thjesht nuk e kemi bërë këtë.”

Reagimi i gjeneralëve dhe personelit të lartë të pranishëm ishte pothuajse i padukshëm ose i padëgjueshëm. Salla ishte kryesisht e heshtur, përveç tingullit të qindra çizmeve që kërcitën për vëmendje kur ai hyri në skenë dhe u largua. Shumë prej tyre morën shënime në blloqe të posaçme ushtarake ndërsa Hegsethi fliste.

Duke konfirmuar praninë e tij në aktivitet të dielën, Trump tha se do të ishte “thjesht një mbledhje shumë e këndshme duke folur për sa mirë po shkojmë ushtarakisht, për sa në formë të shkëlqyer jemi dhe për shumë gjëra të mira e pozitive.”

Presidenti i tha NBC News se ky do të ishte një ushtrim për të gjeneruar “esprit de corps”, duke sugjeruar se e shihte si një mundësi për të motivuar trupat e tij.

Në komentet e tij, zv/presidenti amerikan JD Vance akuzoi mediat se e kthyen këtë në një “lajm të madh,” duke theksuar se “nuk ishte e pazakontë” që gjeneralët e Hegsethit të takoheshin me të personalisht.

Disa vëzhgues nuk ranë dakord. Giuseppe Cavo Dragone, një admiral italian që shërben si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, u citua nga agjencia AP të thoshte: “Në 49 vitet e shërbimit tim, nuk kam parë kurrë diçka të tillë.”

Mark Cancian, nga qendra kërkimore Center for Strategic and International Studies, i tha Reuters: “Është e pashpjegueshme pse kjo nuk u bë virtualisht, në mënyrë që oficerët e lartë të mos humbisnin kaq shumë kohë me udhëtime.”

Cancian spekuloi më tej se Hegsethi mendonte se mesazhet e tij do të kishin më shumë forcë nëse do të paraqiteshin personalisht.

Gjatë kohës së tij si sekretar i mbrojtjes, Hegseth ka theksuar shpesh nevojën për një “etos luftëtari” dhe ka mbështetur riemërtimin e departamentit nga Departamenti i Mbrojtjes në Departamenti i Luftës.

Numri i saktë i të pranishmëve të martën pritej të kalonte mbi 800, përfshirë oficerë të ardhur nga baza ushtarake në Europë, Korenë e Jugut dhe Lindjen e Mesme.

Shumë oficerë arritën disa orë para ngjarjes dhe u ulën në auditor sipas degës së tyre të shërbimit, Ushtria, Korpusi i Marinës, Flota, Forcat Ajrore dhe Forca Hapësinore, të dallueshme lehtësisht nga uniformat.

Shumë prej tyre mbanin medalje të fushatave që tregonin se kishin shërbyer në Afganistan, Irak ose në luftën më të gjerë amerikane kundër terrorizmit të nisur pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001. / BBC – Syri.net