Klea Gjata dhe Laert Haxhiu
LUSHNJË-Një shërthim me tritol është raportuar gjatë natës në Lushnjë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Gafurr Muço’. Fatmirësisht si pasojë e shpërthimit nuk raportohet për të lënduar, por ka vetëm dëme materiale. Paraprakisht bëhet me dije se lënda plasëse është vendosur në banesën në pronësi të shtetases Shaq Gjata, e ëma e Klea Gjatës. Kjo e fundit nuk është një emër i panjohur për autoritetet, pasi është ish-e dashura e Laer Haxhiut.
Pistat e Policisë janë përqendruar te lidhja që Klea Gjata ka me Laert Haxhiun. Ndërkohë nuk përjashtohet as pista e inskenimit, pasi e reja mund të ketë stisur ngjarjen për të kërkuar azil në një shtet në perëndim.
29-vjeçarja u arrestua më 2023 si pjesë e grupit të Laert Haxhiut, gjatë operacionit të koduar “Never Forget” pas dëshmisë se bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani. Ajo u arrestua për ‘moskallëzim krimi’ dhe ‘përkrahje të autorit të krimit’. Asakohe dyshohej se Klea Gjata ishte e përfshirë në vrasjen e Alban Semakut në vitin 2021. E reja u lirua më 21 maj të 2024-ës.
Në kuadër të hetimeve Klea Gjatës iu sekuestrua edhe makina luksoze GLK në ngjyrë të zezë, në pronësi të nënës së saj. Nga hetimet rezulton se mjeti është përmendur edhe nga Tafani, i cili ka thënë se Klea kishte dijeni për të gjitha krimet e Laertit, dhe në disa raste madje kishte shërbyer si shofere e tij.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 01:00, në lagjen “Gafurr Muço”, në murin e jashtëm në katin e parë të banesës së shtetases Sh. Gj., 57 vjeçe, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve./ZËRI
