Tronditje në komunitetin italian të biznesit në Shqipëri pas vrasjes së sipërmarrësit Edoardo Sarchi

Vrasja tragjike e sipërmarrësit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë, ka shkaktuar një valë reagimesh në komunitetin italian të biznesit në Shqipëri. Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e investitorëve të huaj dhe ndikimin që mund të ketë në marrëdhëniet ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë.

Në një deklaratë të përbashkët, Confindustria Albania dhe Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri shprehin “tronditje dhe shqetësim të thellë” për humbjen tragjike të Sarchit, duke i bërë thirrje autoriteteve shqiptare për një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe transparent.

“Kërkojmë me forcë që të identifikohen dhe ndëshkohen autorët, pa vonesa, në respekt të shtetit të së drejtës. Ngjarje të kësaj natyre nuk mund të mbeten të pandëshkuara,” thuhet në komunikatë.

Të dy institucionet italiane nënvizojnë se siguria dhe besimi janë kushte themelore për praninë e sipërmarrësve italianë në Shqipëri. Ata u bëjnë thirrje autoriteteve të mobilizojnë burimet hetimore të nevojshme, përfshirë bashkëpunimin me institucionet italiane, si dhe të garantojnë mbrojtje për personat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Në përfundim të reagimit, Confindustria Albania dhe Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri riafirmojnë angazhimin për të promovuar një klimë të sigurt dhe të ligjshme për të gjitha komunitetet sipërmarrëse, si italiane ashtu edhe shqiptare./ Nga Alba Kepi