Denis Trungu
TIRANË- Policia ka arrestuar sot një 37-vjeçar nga Kombinati, i cili ishte dënuar më parë për vepra të ndryshme penale. Sipas informacioneve zyrtare, Denis Trungu ishte dënuar me 7 vite burg për mashtrim kompjuterik.
Mësohet se Trungu ishte ndaluar edhe më parë, në vitin 2020, gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, për mashtrime me llogaritë bankare. Ai kishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga “Paga e luftës”, duke hapur llogari bankare në emra të ndryshëm. Aktivitetin e kishte zhvilluar në një bankë të nivelit të dytë dhe kishte ndërhyrë në sistemin dixhital “e-Filing”. Përmes këtij manipulimi, ai kishte transferuar në llogarinë e tij personale 36 pagesa të “Pagës së luftës”, përgjatë periudhës 6 maj – 22 qershor 2020, në gjashtë banka të ndryshme, duke realizuar 36 transaksione bankare në emrin e tij.
Sipas hetimeve, paratë e përfituara i kishte përdorur për qëllime të ndryshme: pagesa për koncerte, qira, fatura dhe shpenzime të tjera të paspecifikuara. Trungu kishte arritur të hakonte sistemin e ngritur nga qeveria për menaxhimin e ndihmës financiare gjatë pandemisë.
Pas verifikimeve, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave urdhëroi bllokimin e llogarive të tij bankare. Në momentin e bllokimit, në llogaritë e Trungut u gjetën vetëm 1.6 milionë lekë nga gjithsej 15 milionë lekë të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Final”.
Kapet në Kombinat, një 37-vjeçar i dënuar me 7 vite burgim për mashtrim kompjuterik. 37-vjeçari i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Kibernetik, si rezultat i një pune të mirorganizuar operacionale në kuadër të operacionit “Final“ në Kombinat, kapën dhe vunë në pranga shtetasin Denis Trungu., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e ka dënuar me vendim të formës së prerë, 37-vjeçarin, me 7 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ZËRI
