Humbi jetën në aksident/ Egli Tako dhe figura të njohura marrin pjesë në varrimin e vëllait të Gjesti

Egli Tako dhe Gjesti në ceremoninë mortore

PEJË- Një atmosferë e rëndë dhe e mbushur me dhimbje mbizotëroi pasditen e sotme në ceremoninë mortore të 15-vjeçarit Eldion Kelmendi, vëllait të reperit të njohur Gjesti, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor ditën e djeshme.
Varrimi u zhvillua pasditen e sotme në orën 17:00, ku morën pjesë familjarë, të afërm dhe shumë miq të ngushtë të familjes Kelmendi. Në këtë moment të vështirë për reperin dhe familjen e tij, mbështetja nuk mungoi as nga figura të njohura të ekranit dhe muzikës shqiptare.
Ndër të pranishmit ishin Egli Tako, Rizarta Hoxha, Valbona Mhilli dhe Danja Koka, ish-banorë të Big Brother. Po ashtu, këngëtarët e njohur Dafina Zeqiri dhe Yll Limani ishin të pranishëm në ceremoninë lamtumirëse, duke treguar mbështetjen e tyre për kolegun dhe mikun e tyre në këtë periudhë të dhimbshme.

Ngjarja ka prekur thellë jo vetëm familjen dhe miqtë e Eldionit, por edhe publikun dhe komunitetin artistik shqiptar, i cili ka reaguar me mesazhe të shumta ngushëllimi në rrjetet sociale./ZËRI