foto ilustrim: klevis lleshi (viktime)-spak
TIRANË- Sabah Nuzi dhe Samet Loka, të arrestuar për vrasjen e Klevis Lleshit, do të dalin sot para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Seanca do të nisë në orën 10:00, ku pritet që dy të akuzuarit të njihen me masat e sigurisë.
Siç u bë me dije më herët edhe nga SPAK, Sabah Nuzi dyshohet të jetë ekzekutori i Klevis Lleshit, për një shumë prej 50 mijë eurosh. Ndërkohë, Aurel Hoxha alias Kolaveri i cili aktualisht vijon të jetë në kërkim, është identifikuar si urdhërues i dyshuar i krimit. Hoxha është pronari i lokalit “Monopol”, ku janë ushtruar kontrolle gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm.
Si nisi hakmarrja?
Gjithçka nisi në Britaninë e Madhe, ku pas një sherri që dyshohet për pazare droge u vra Agim Hoxha. Vrasësi i tij ishte Arben Lleshi. Hoxha dhe Lleshi kishin një miqësi të hershme së bashku, e cila datonte që prej fëmijërisë së tyre, por u kris. Shkak dyshohet të jenë bërë pazaret e drogës. Agim Hoxha u vra në Britaninë e Madhe dhe më pas trupi iu dogj brenda makinës.
Autoritetet britanike e gjetën fajtor Lleshin për ngjarjen dhe e dënuan me 32 vite burg. Pas ekstradimit drejt Shqipërisë, ai kishte për të kryer dhe 28 vite të mbetura, të cilat nuk i çoi deri në fund pasi u ekzekutua nga Sokol Mjacaj.
Pavarësisht se drejtësia e tha fjalën e saj, familja Hoxha kishte tjetër skenar në mendje. Të niste hakmarrjen, e cila kishte regjistruar deri atëherë të paktën 4 viktima.
Në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi. Atij iu bë pritë në vendin e quajtur ‘Pujkë’. Më 15 maj të vitit 2016 u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhavitit, në fshatin e lindjes në Burrel. Goditjet nga familja Hoxha vijuan dhe një vit më vonë. Në vitin 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz. Në Kamëz, ai u pa për herë të fundit nga kamerat e sigurisë së një lokali dhe që nga ajo kohë nuk dihet se çfraë ka ndodhur me të.
Hakmarrjet vijuan. Me Arben Lleshin në burg, familja Hoxha priti që Klevis Hoxha, djali i Xhavit Lleshit, të ekzekutuar në vitin 2013 të rritej dhe të vijonin sagën e hakmarrjes. Klevisit, atëherë 22 vjeç i erdhi radha. Klevis Lleshin u zhduk pa gjurmë në vitin 2020. Ai u mor peng në qendër të Burrelit dhe më pas u zhduk. Derisa dy vite më parë eshtrat e tij u gjetën të groposura në Mamurras. Gishtin i fajtorëve në të gjitha rastet u drejtua nga familja Hoxha./ZËRI
