Vetëm pak ditë pasi zyrtarisht mori detyrën si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali është futur me hov në botën e madhe të diplomacisë… ose më saktë, në botën e fotove të bukura në korridoret e OKB-së.
Që prej 23 shtatorit, Spiropali ka nisur turneun e saj të “intensiv” diplomatik në New York. Postimet në rrjetet sociale janë me shumicë, aq sa ndonjë ndjekës mund të mendojë se Shqipëria po udhëheq Këshillin e Sigurimit dhe G7-ën njëherësh. Por në realitet, pjesa më e madhe e angazhimit të ministres duket se konsiston në shtrëngime duarsh spontane, buzëqeshje të detyruara në oborr, apo selfie me ndonjë lider që nuk e kupton mirë pse po fotografohen.
23 shtator – Ministrja e veshur me të bardha nis ditën me një foto nga ballkoni i hotelit, më pas një video nga selia e OKB-së dhe në fund një postim në tryezën e përbashkët.
24 shtator – E veshur me të zeza, përkrah presidentit Begaj, del në video në oborrin e OKB-së. Në një tjetër postim shfaqet pranë Begajt teksa dëgjojnë fjalimin e Donald Trump. Pak më vonë, në një tjetër foto, Spiropali shfaqet pa Begajn në krah, duke ndarë imazhe nga takimi rastësor me Zelenskin.
25 shtator – Në korridoret e OKB-së, Spiropali është parë duke përshëndetur presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, dhe ministren austriake të Jashtme, Beate Meinl-Reisinger. Të dyja përshëndetjet meritonin një postim në faqen zyrtare të ministres.Më vonë, një tjetër postim për Grupin e Miqve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Antonio Tajani, ku ishte edhe Roberta Metsola.
Një tjetër postim iu kushtua takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të cilin e takoi në një tryezë të përbashkët.
Në listë u shtuan edhe një foto me Richard Grenell, si dhe foto nga një konferencë kundër ekstremizmit e organizuar nga Johann Wadephul në krah të ministrave të Jashtëm gjermanë.
Takimi i vetëm i vërtetë – Pas gjithë kësaj “maratone” fotosh në oborre e korridore, duket se i vetmi takim real, i ulur në një tryezë pune, ishte ai me homologen kosovare Donika Gërvalla. Të dyja, për koincidencë, të veshura kuq e zi.
Në vetëm disa ditë në Asamblenë Parlamentare të OKB-së, Elisa Spiropali ia ka dalë të promovojë garderobën e saj korridoreve të Asamblesë. Aq sa duhet, në fakt, për të mbushur Facebook dhe Instagramin e propagandës së diplomacisë së vakët shqiptare.
Në fund të ditës, Spiropali nuk e shpiku diplomacinë e oborrit – thjesht po e praktikon me pasion. Me pak fjalë: më pak marrëveshje, më shumë foto. Sepse siç duket, në diplomacinë shqiptare të shekullit XXI, më shumë vlen një selfie me sfond ndërkombëtar, sesa një marrëveshje me përmbajtje reale.
