Avioni luftarak rus MiG-31
MOSKË- Diplomatët britanikë, francezë dhe gjermanë i paralajmëruan homologët e tyre të Moskës se NATO është e përgatitur të rrëzojë avionë rusë në përgjigje të shkeljeve të mëtejshme të hapësirës ajrore. “Bloomberg” e përshkroi si një “takim të tensionuar”, të dërguarit evropianë u përballën me diplomatët rusë lidhur me ndërhyrjen e supozuar në hapësirën ajrore estoneze javën e kaluar nga tre avionë luftarakë MiG-31. Pas takimit, ata thuhet se arritën në përfundimin se shkelja ishte një “taktikë e qëllimshme e urdhëruar nga komandantët rusë”.
Diplomatët rusë argumentuan se fluturimet ishin përgjigje ndaj veprimeve ukrainase kundër Krimesë së aneksuar dhe pretenduan se mbështetja e NATO-s për Kievin e kishte futur Evropën në konfrontim të drejtpërdrejtë me Moskën. Shënimet e shumta të mbajtura nga delegatët rusë i shtynë zyrtarët evropianë të spekulojnë se ata ishin urdhëruar të “japin një pasqyrë të detajuar të pozicionit të NATO-s në zinxhirin e komandës” në Moskë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të premten e quajti raportin të papërgjegjshëm dhe përsëriti qëndrimin e Moskës se akuzat për shkelje të hapësirës ajrore ruse janë të pabazuara.
“Ne këmbëngulim që të gjitha fluturimet tona të operohen në mënyrë strikte në përputhje me rregulloret ndërkombëtare”, u tha ai gazetarëve.
Një sërë inkursionesh ajrore të kohëve të fundit, përfshirë ato në Rumani, Poloni dhe Estoni, kanë vënë në provë unitetin e NATO-s dhe kanë ekspozuar boshllëqe në rregullat dhe pajisjet e mbrojtjes ajrore në krahun lindor të aleancës së udhëhequr nga SHBA-të.
Moska ka mohuar publikisht akuzat për shkelje të hapësirës ajrore.
Më herët të enjten, ambasadori rus në Francë, Alexei Meshkov, i tha radios franceze se rrëzimi i një avioni rus nga NATO nën pretekstin e një shkeljeje të dyshuar të hapësirës ajrore “do të ishte luftë”.
“Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbrojë fuqishëm hapësirën tonë ajrore kundër çdo inkursioni”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike për Bloomberg.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, këtë javë u bëri thirrje vendeve të NATO-s të rrëzojnë çdo avion rus që shkel hapësirën e tyre ajrore./ Përkthyer nga The Moscow Times
