Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar disa kontrolle në qytetin e Elbasanit, përfshirë zyra e banesa të disa zyrtarëve socialist. Pjesë e kontrollit konfirmuan burime policore, kanë qenë edhe banesa e Luan Tabakut, drejtorit të Ujësjellësit në Elbasan, njëherësh personazh i përmendur në ngjarjen e 2021 ku u vra Pjerin Xhuvani, si dhe të një biznesmeni. Të njëjtat burime konfirmuan se kontrollet janë urdhëruar në kuadër të hetimeve për grupin e Suel Çelës, ku janë evidentuar edhe tendera të dyshimtë.
Syri TV
Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe forca të shumta policie, prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjte, kanë kryer kontrolle në banesa dhe biznese në qytetin e Elbasanit. Burime për Syri Televizion, konfirmojnë se pjesë e kontrolleve kanë qenë edhe banesat e eksponentëve të rëndësishëm të Partisë Socialiste në qytet.
Një grup agjentësh, prej orës 9 të mëngjesit, është parë pranë banesës së Luan Tabakut, që prej tre vjetësh mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellësit Rajonal të Elbasanit. Ai është një emër i njohur jo vetëm për funksionet publike, por edhe si i përfshirë në ngjarjen e 21 prillit 2021 në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
Luan Tabaku dyshohet se së bashku me anëtarë të tjerë të grupit të Suel Çelës, ishin prezent në ngjarjen ku humbi jetën ish-eksponenti i PS, Pjerin Xhuvani. Ndërkohë, burime jo zyrtare nga policia e Elbasanit konfirmuan se kanë mbështetur BKH për disa kontrolle në një biznes në këtë qytet. Burimi tregohet i rezervuar për emrin e subjektit ku janë ushtruar kontrolle, si dhe janë sekuestruar dokumentacion dhe pajisje elektronike.
Ka dyshime se biznesmeni në fjalë, ka marrë pjesë në shumë procedura të prokurimeve publike, që kanë patur flamuj të kuq edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Syri Tv iu drejtua burimeve zyrtare në SPAK për më tepër të dhëna, por nuk mori një përgjigje konkrete mbi këtë operacion.
