Pas shpalljes fajtor, atentatori i Trump tenton të vrasë veten…me një stilolaps

Një juri federale shpalli fajtor Ryan Routh, 59 vjeç, për të gjitha akuzat, pasi ai tentoi të vriste ish-kandidatin presidencial Donald Trump në fushën e tij të golfit në West Palm Beach, shtatorin e kaluar.

Pas leximit të vendimit, Routh raportohen se u përpoq të godiste veten në qafë me një stilolaps, por u neutralizua menjëherë nga katër marshallë amerikanë. Në sallën e gjyqit shpërtheu edhe e bija, Sara Routh, e cila tha me zë të lartë:
“Mos bëni asgjë. Do të të nxjerr unë. Ai nuk i bëri dëm askujt. Kjo nuk është e drejtë. E gjitha është e manipuluar – ju jeni maskarenj.”

Routh u akuzua për pesë vepra penale federale, përfshirë: tentativë për vrasjen e një kandidati presidencial, sulm ndaj një oficeri federal dhe disa akuza për armë zjarri. Dënimi maksimal që ai mund të marrë është burgim i përjetshëm.

Pas një procesi gjyqësor trejavor, juria u tërhoq për disa orë dhe më pas dha vendimin. Prokurorët theksuan në deklaratat përmbyllëse se provat digjitale dhe forensike dëshmonin qartë qëllimin e Routh: të vriste Trump.

Ata kujtuan 17 vizitat e përsëritura të Routh në fushën e golfit të Trump, të cilat i paraqitën si “ndjekje obsesive”, si dhe provat që e lidhin atë me blerjen e një arme SKS gjysmë-automatike kalibër 7.62×39, e gjetur pranë vendngjarjes. Ekspertët dëshmuan se arma ishte plotësisht funksionale, me 19 fishekë në karikator dhe një në tytë. Gjurmët e gishtërinjve dhe ADN-ja e Routh u gjetën në armë, doreza dhe sende të tjera.

Prokuroria paraqiti 38 dëshmitarë, qindra prova materiale, regjistra telefonikë, mesazhe, pamje sigurie dhe të dhëna bankare. Ata e lidhën Routh edhe me një manifest 12-faqësh me titull “Dear World”, ku ai thuhej se ofronte 150 mijë dollarë për këdo që do të “përfundonte punën”.

“Asnjë dyshim, asnjë dyshim i arsyeshëm, nuk ka pasur kurrë. Ky njeri deshi Donald Trump të vdekur,” deklaroi prokurori federal Christopher Browne, duke treguar nga i pandehuri.

Vendimi i jurisë shënon një pikë kthese në një nga proceset më të bujshme politike dhe gjyqësore të viteve të fundit në SHBA.