Bart De Wever
BELGJIKË- Belgjika i është bashkuar grupit të vendeve që njohën shtetin e Palestinës, tha kryeministri belg Bart De Wever duke folur në margjinat e seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Duke folur në një konferencë mbi zgjidhjen me dy shtete, De Wever theksoi se njohja nuk duhet të shihet si “një shpërblim për Hamasin”. I vetëdijshëm për traumën e shkaktuar pas sulmit terrorist më 7 tetor, Belgjika do të vazhdojë me njohjen ligjore të Palestinës vetëm pasi të lirohen të gjithë pengjet dhe organizatat terroriste të largohen nga qeveria”.
“Belgjika po i jep botës sot një sinjal të fortë politik dhe diplomatik duke iu bashkuar grupit të vendeve që kanë njoftuar njohjen e Shtetit të Palestinës”, tha kryeministri belg.
“Zhvillimi efektiv i marrëdhënieve diplomatike me shtetin e ri të Palestinës, përfshirë hapjen e ambasadës belge dhe përfundimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, do të kryhet sapo të jenë arritur objektivat e Deklaratës së Nju Jorkut”, deklaroi De Wever.
Më parë, Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi njohjen e shtetësisë palestineze nga Parisi. Australia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Portugalia shprehën njohjen e tyre për Shtetin e Palestinës një ditë më parë.
Sipas deklaratave të tyre, angazhimi ndaj parimit të dy shteteve për dy popuj është thelbësor për paqen dhe sigurinë si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët.
Rreth 150 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së tani e njohin Palestinën, megjithëse me qasje të ndryshme. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar valën e njoftimeve. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet ta trajtojë çështjen në Asamblenë e Përgjithshme të martën, i ndjekur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të premten./ZËRI
