Deputeti i PD, Klevis Balliu ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Ministrisë së Brendshme për shkarkimin e zëvendësministrit, duke e cilësuar atë një ‘spektakël të turpshëm me cigare’, ndërkohë që vendi vuan nga krimi, droga dhe pasiguria.
Sipas Balliut, në Shqipëri problemi nuk është duhani, por bashkëpunimi i qeverisë me bandat kriminale, kapja e institucioneve dhe kriminalizimi i Policisë së Shtetit.
Klevis Balliu: Qeveria e drogës dhe bandave luan teatër me cigare
Qeveria vazhdon të tallet me qytetarët.
Ministria e Brendshme shkarkon zëvendësministrin jo për aferat e krimit, por sepse pinte cigare.
Zonjë, në Shqipëri nuk është problem cigarja. Problemi është droga dhe trafiku i saj, është kapja dhe inkriminimi i institucioneve, është politizimi dhe kriminalizimi i Policisë së Shtetit, është bashkëpunimi i politikës me krimin e organizuar. Ju sot jeni përfaqësuese e kësaj politike, si ministre e një qeverie më të korruptuar dhe më të inkriminuar se çdo qeveri tjetër në historinë e vendit.
Detyra juaj nuk është të bëni spektakël me cigare, por të garantoni sigurinë e qytetarëve – një siguri që ka rënë në nivelet më dramatike, pasi dhjetëra shqiptarë të ndershëm kanë humbur jetën nga përplasjet e bandave që sollën partinë tuaj në pushtet.
