Fëmijët nuk kanë nevojë të ndajnë lodrat, dhe ka një arsye pse

Shumë prindër u thonë fëmijëve të tyre “Ndaje me vëllain/motrën” apo “Duhet të ndash”, por a është kjo qasje e duhura? Sipas ish-mësueses dhe ekspertes së prindërimit, Lane Dayling Cherland, detyrimi i fëmijëve të vegjël për të ndarë gjërat në fakt i mëson ata të bëhen persona që nuk dinë të thonë jo.

Në një video virale të titulluar “Ndarja nuk është kujdes”, Lane shpjegon se lavdërimi i fëmijëve për ndarjen krijon sjellje që lidhen me kënaqjen e të tjerëve, jo me zhvillimin e aftësive jetësore. Ajo sugjeron që fëmijët të mësohen me konceptin e kufijve, pritjes dhe vetëdijes, duke i inkurajuar të thonë “Unë ende po e përdor këtë” dhe të ndajnë vetëm kur të jenë gati.

Ekspertja shton se fëmijët e moshës një deri në tre vjeç janë natyrshëm të përqendruar te vetja, pasi ende po formojnë personalitetin e tyre dhe truri i tyre nuk është zhvilluar plotësisht për të kuptuar nevojat e të tjerëve. Sipas saj, prindërit duhet t’i ndihmojnë duke i mësuar durimin dhe respektimin e kufijve të shëndetshëm, në vend që t’i detyrojnë gjithmonë të ndajnë sendet e tyre.