Italia del në rrugë për Gazën, 80 marshime dhe demonstrata të planifikuara

Italia “del” sot në rrugë për të protestuar kundër luftës në Rripin e Gazës dhe në mbështetje të Flotiljes Globale Sumud. 80 protesta janë thirrur nga Trieste në Siçili, ndërsa të gjithë sektorët do t’i bashkohen mobilizimit mbarëkombëtar.

Sipas La Repubblica, në Torino, që prej orës 07:00, aktivistë dhe studentë bllokuan hyrjet e Kampusit të Universitetit Einaudi për të parandaluar zhvillimin e mësimit. Bllokime të mëtejshme janë planifikuar në kampuset e tjera universitare dhe shkollat ​​e mesme.

Disa trena rajonalë u anuluan dhe u vonuan deri në 80 minuta këtë mëngjes në Romë. Stacioni i Termini është mbyllur, me urdhër të forcave të rendit, në pritje të demonstratës së thirrur nga USB dhe grupet palestineze, e planifikuar për në orën 11:00 në Viale Luigi Einaudi, në cep të Piazza dei Cinquecento, pranë stacionit të Termini.

Janë planifikuar tubime në shtatë pika të tjera të qytetit, duke përfshirë Piazzale Aldo Moro, pranë Universitetit La Sapienza, dhe në Piramide. Në Milano, procesioni do të niset nga Cadorna në orën 10:00, ndërsa në Napoli janë planifikuar dy demonstrata: një nga Piazza Garibaldi  dhe një nga ish-baza e NATO-s në Bagnoli pasdite.

Për autobusët, tramvajet dhe metronë në Milano, Kompania e Transportit të Milanos (ATM) ka njoftuar se shërbimi mund të mos jetë i garantuar nga mëngjesi deri në orën 15:00 dhe nga ora 18:00 deri në fund të shërbimit.

Mësues nga shkolla publike dhe private të të gjitha niveleve janë përfshirë në demonstratën, të thirrur nga Confsai, Cisle dhe Conalpe. Shoqatat studentore kanë njoftuar gjithashtu praninë e tyre në rrugë. Mësimet, punëtoritë dhe aktivitetet pritet të pezullohen gjithashtu në universitete.