Vangjush Dako lë spitalin, kthehet në qelinë e burgut të Durrësit për të kryer dhe 6 ditë dënim

Vangjush Dako

DURRËS- Vangjush Dako, ish-kryetar i Bashkisë Durrës është në gjendje të mirë shëndetësor. Sot, Dako ka lënë ambientet e spitalit dhe është kthyer në qelinë e burgut ku duhet të kryejë edhe 6 ditë dënim.
Apeli i GJKKO vendosi më 16 shtator se Dako duhet të vuante dënimin me 2 vite e 8 muaj burg. Llogaritja e paraburgimit dhe arrestit të shtëpisë doli në përfundimin se Dako kishte dhe 10 ditë burg për të kaluar, 4 nga të cilat i kaloi në spital, pasi në momentin kur u bë ekzekutimi i masës pati aritmi dhe gjendje ankthi. 
Vangjush Dako u dënua me shpërdorim detyre në 2 raste, për ndërtimin e një pallati 12 katësh që u shemb nga tërmeti.  Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe kishin hyrë banorët, duke legalizuar 4 kate pa leje. Rasti i dytë lidhej me abuzimin e një tenderi për ndërtimin e një shëtitoreje me një dëm shkaktuar shtetit në vlerën e 18 milionë lekëve./ZËRI