‘U vra për vlerat që besonte’/ Mbahen në kryeqytet homazhe për Charlie Kirk, Pano: Kauza e tij është edhe e jona

Në kryeqytet janë mbajtur sot homazhe nga qytetarë të shumtë, grupe fetare, për vrasjen tronditëse të aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk, një zë i fortë në mbrojtje të lirisë së fjalës, vlerave tradicionale dhe besimit te Zoti dhe atdheu, ku të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, Këshilltari i PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano, tha se vrasja e Kirk nuk është thjesht një akt kriminal, por një sinjal alarmi për luftën ideologjike që po i bëhet familjes dhe vlerave themelore perëndimore. Ai theksoi se kjo humbje ndjehet edhe në Shqipëri, ku përpjekjet për të heshtur zërat konservatorë janë gjithnjë e më të forta.

Pjesë nga deklarata:

Jemi mbledhur sot për të kujtuar dhe për të nderuar Charlie Kirk, vetëm 31 vjeç, i cili inspiroi mijëra të rinj të angazhohen në mbrojtje të lirisë së fjalës, vlerave tradicionale dhe dashurisë për atdheun. Kirk besonte se brezi i ri duhej të rritej me kurajë, me besim dhe atdhedashuri dhe këtë mesazh ai e përçoi kudo me pasion dhe bindje.

Kirk ishte i njohur për qëndrimin e tij të palëkundur në mbrojtje të familjes dhe vlerave themelore ndërkombëtare. Ai bashkëpunoi me Presidentin Trump dhe promovoi parime që mbështesin edhe kombin tonë. Prandaj, ne e ndjejmë këtë humbje si të ishte e jona.

Megjithatë, kjo mbrëmje nuk është vetëm në kujtim të tij sot ne festojmë një jetë të jetuar me liri. Ai na mësoi çfarë do të thotë të thuash gjërat siç janë, të qëndrosh i palëkundur përballë presionit dhe të flasësh në mbrojtje të së vërtetës, sidomos kur ajo sulmohet.

Ai na kujtoi se liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes disa fjalë që sot tingëllojnë profetike. Ai tha: “Dua të kujtohem për guximin dhe besimin tim, dhe gjëja më e rëndësishme në jetën time është besimi im.”

Ai e dinte se fama dhe pasuria janë të përkohshme, por trashëgimia e vlerave që lëmë pas do të jetojë.