foto ilustruese
BRITANI- Kryeministri britanik Sir Keir Starmer pritet të shpallë sot, 21 shtator, njohjen zyrtare të shtetit palestinez, në një deklaratë që do të bëhet publike pasditen e kësaj e të diele, raporton BBC.
Starmer do të ndërmarrë hapin historik të njohjes së Palestinës, pasi ministrat arritën në përfundimin se situata humanitare në enklavën e rrethuar është përkeqësuar për shkak të sulmit të Izraelit në qytetin e Gazës.
Starmet paralajmëroi në korrik se Mbretëria e Bashkuar do të ndryshonte qëndrimin e saj nëse Izraeli nuk përmbushte disa kushte, duke përfshirë rënien dakord për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe angazhimin për një proces paqeje afatgjatë që çon në një shtet palestinez që bashkëjeton me Izraelin.
Ai e bëri të qartë se Mbretëria e Bashkuar do ta njihte Palestinën përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në New York, nëse situata nuk përmirësohet.
Udhëheqja izraelite e ka përjashtuar këtë mundësi që nga fillimi i luftës pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë 1,200 persona dhe 251 u morën peng.
Lëvizja e kryeministrit ka tërhequr kritika të ashpra nga qeveria izraelite, familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza dhe disa konservatorë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më parë tha se njohja e një shteti palestinez “shpërblen terrorin”.
Burime qeveritare britanike thonë se situata në terren në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit, me imazhe të rënda të urisë dhe dhunës, të cilat Starmer i ka përshkruar si “të padurueshme”.
Britania bëhet kështu një nga fuqitë e mëdha të para të G7-ës që njeh shtetin palestinez, pas Francës, Australisë dhe Kanadasë.
Australia, Franca dhe Kanadaja janë zotuar të gjitha për të njohur një shtet palestinez në OKB./ZËRI
