Rrëmbyen dhe vranë Renis Dobrën! Burg për vëllezërit Bushgjokaj, dosja i kalon SPAK

Renis Dobra

TIRANË-Gjykata e Dibrës ka lënë në burg vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, të cilët akuzohen për vrasjen e Renis Dobrës. Gjykata e Dibrës ka vendosur që dosjen për vrasjen e Renis Dobrës të ja kalojë SPAK, për shkak se 4 të pandehurit akuzohen se ka vepruar në kuadër të grupit kriminal.
Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, së bashku me vëllain tjetër Fatjon Bushgjokaj, si edhe Petrit Çakrrin, akuzohen se kanë rrëmbyer dhe mbytur me litar Renis Dobrën. 
Renis Dobra, 23 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti buzë liqenit në rrethana ende të paqarta. Motivi i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.
Si ndodhi vrasja
Për të kryer vrasjen, tre vëllezërit Bushgjokaj dhe Çakrri kishin marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës. Natën e rrëmbimit u përdor një automjet i zi Range Rover dhe një tjetër i bardhë. Në pamjet e siguruara nga Policia dallohen autorët që lëvizin në drejtim të fshatit Zenisht, ku kanë ndjekur të riun, dhe më pas në kthim, e kanë marrë peng./ZËRI