Edi Rama dhe Ministrja AI Diella
TIRANË- “Diella”, ministrja e AI për Prokurimet Publike u përmend sot sërish nga Rama gjatë prezantimit të ministres së re të Shëndetësisë, Evis Sala.
Gjatë fjalës së tij kryeminsitri theksoi se gjithë bota po komenton “Diellën”, duke theksuar se tashmë Shqipëria ka përparuar në teknologji. Madje ai zbuloi një detaj: që çdo ditë ai merr 3-4 ftesa për intervista në mediat e huaja për ministren robot “Diella”. Sipas Ramës e gjithë kjo vëmendje duhet të sjellë benefite për Shqipërinë, duke tërhequr drejt vetes edhe mjekë të huaj.
“Tërheqja ndaj Shqipërisë sot është edhe më e madhe. Madje është rritur edhe më shumë së fundmi sepse pavarësisht se çfarë thuhet këtu, gjithë bota rri e merret me ministren tonë jo njeri. Kjo në thelb e bën shumë tërheqës vendin si vend që ka arritur të ketë një ministër jo njeri dhe ku ambicia është e madhe dhe hapja ndaj teknologjisë është e plotë.
Çdo ditë kam nga 3-4 ftesa për intervista nga mediat e Evropës për të shpjeguar këtë fenomen. Ashtu edhe tek profesionistët është fomuar ky interes. Nuk duhet të shohim asnjë limit në ambicie. Duhet ta shohim të arsyeshme që këtu të tërheqim edhe mjekë të huaj”- u shpreh Rama.
Rama foli për ndryshimet e mëdha që synon qeveria të bëjë në sistetimin shëndetësor, ku e vendosi fokusin tek implementimi i Inteligjencës Artificiale edhe në këtë sektor. Ai u shpreh se Shqipëria do të bashkëpunojë me një ndër kompanitë më të njohura në Mbretërinë e Bashkuar, në fushën e AI në shërbim të shëndetësisë./ZËRI
