Tritoli në banesë reagon sërish deputeti Mziu: Unë nuk trembem

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka reaguar sërish për shpërthimin me tritol të regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në muret rrethuese të banesës së tij.
Mziu akuzon palën kundërshtare për tritolion e vendosur në banesën e tij, ku shkruan se ky nuk është thjesht sulm ndaj tij, por një mesazh politik i errët, sipas tij, për t’i mbyllur gojën.
“Tritoli i mafies politike nuk na ndal! Sot u vendos tritol në shtëpinë time. Ky nuk është thjesht sulm ndaj meje, por një mesazh politik i errët, një akt frike i mafies së pushtetit ndaj fjalës së lirë. Ata mendojnë se me tritol do të na mbyllin gojën, por gabojnë rëndë! Ne nuk trembemi, nuk tërhiqemi, përkundrazi, ky krim na forcon edhe më shumë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Opozita dhe Shqipëria nuk do të gjunjëzohen përballë krimit dhe korrupsionit!”, shkruan deputeti demokrat.
Më herët gjatë ditës së sotme, në një konferencë për gazetarët Mziu mohoi të kishte konflikte personale që mund të lidhen me ngjarjen.
“Jam i gëzuar që nuk pati dëme njerëzore. Nuk kam asnjë lloj konflikti me asnjë person gjatë karrierës sime. Unë e shoh këtë një akt politik dhe madje hakmarrje politike. Nëse do kisha indicie për persona të dyshuar, nuk do kisha nguruar t’i thoja. Shpresoj që policia të jetë në lartësinë e duhur për të mbledhur provat”, tha ai.