“Mesazh i errët politik”/ Eksplozivi në banesë, reagon Xhelal Mziu: Tritoli i mafies politike s’ma mbyll gojën, përkundrazi…

xhelal mziu

TIRANË- Deputeti demokrat, Xhelal Mziu, ka reaguar për shpërthim me eksploziv në banesën e tij. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Mziu, nuk e konisderon tritolin në banesë thjesht një sulm ndaj tij, por një mesazh politik i errët. Xhelal Mziu është shprehur se sulmi u krye me qëllim për t’i mbyllur gojën, por sipas tij, ky krim e forcon edhe më shumë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë.
Reagimi i plotë:
Tritoli i mafies politike, nuk na ndal!
Sot u vendos tritol në shtëpinë time.
Ky nuk është thjesht sulm ndaj meje, por një mesazh politik i errët, një akt frike e mafies së pushtetit ndaj fjalës së lirë.
Ata mendojnë se me tritol do të na mbyllin gojën, por gabojnë rëndë!
Ne nuk trembemi, nuk tërhiqemi, përkundrazi – ky krim na forcon edhe më shumë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë.
Opozita dhe Shqipëria nuk do të gjunjëzohet përballë krimit dhe korrupsionit!

Një shpërthim i fuqishëm me tritol ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, pranë banesës së deputetit të Partisë Demokratike Xhelal Mziu, në zonën e Kamzës. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm kishte vetëm dëme materiale, ndërkohë që hetuesit kanë marrë dhe dëshminë e deputetit. Në momentin e shpërthimit, Mziu ka qenë në banesë me bashkëshorten e tij, ndërsa thotë se nuk ka dijeni në lidhje me autorët që mund të fshihen pas ngjarjes. Nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se ngjarja është një mesazh, pasi sasia e lëndës plasëse ka qenë relativisht e vogël dhe është vendosur në pjesën e sipërme të murit rrethues të banesës.
Përpara se të merrte mandatin e deputetit, Mziu ka qenë në krye të Bashkisë së Kamzës./ZËRI