Vëllezërit Kajoshi dhe Alban Bruçi
TIRANË-Alban Bruçi i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje ndaj vëllezërve Arlind dhe Arjon Kajoshi në Shkodër është arrestuar në Tiranë. Bruçi, në momentin e ndalimit shoqërohej nga shoku i tij Arjan Sardi, i cili po e transportonte me motomjet. Gjatë kontrollit fizik, Bruçit iu gjetën një shumë parash, 3 celularë dhe një kartë identiteti italiane false.
Atentati ndaj vëllezërve Kajoshi
Në 7 shtator 2024, 4 plumba u qëlluan ndaj një Range Roveri në lagjen “Partizani” në Shkodër. Arlind Bruçi kishte shënjestër Arlind Kajoshin, i cili ishte një nga personat që i dhunoi të atin, Vladimir Bruçin. Në makinë ishte i vëllai i tij i vogël, boksieri Arjon Kaloshi, i cili qarkullonte me mjetin në pronësi të babait të tij, Sokol Kajoshit. Fatmirësisht nga të shtënat me armë zjarri nuk pati të lënduar.
Kujtojmë se në maj të këtij viti u arrestua edhe Arlind Kajoshi, i cili ishte shpallur në kërkim, për rrahjen e Vladimir Bruçit së bashku me Samuel Troshani dhe Izmir Sakicën. Kajoshi u arrestua në Shtoj, fshat në dalje të Shkodrës në një banesë të braktisur.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.
Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 67”.
Kapet në rrugën “Teodor Keko” dhe vihet në pranga një 28-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativë për vrasje me paramendim dhe për armëmbajtje pa leje.
Në momentin e ndalimit, 28-vjeçari posedonte një kartë identiteti italiane false.
Vihet në pranga dhe shtetasi që shoqëronte dhe transportonte 28-vjeçarin, me motomjet.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 67”, gjatë të cilit u kap në rrugën “Teodor Keko” dhe u vu në pranga shtetasi:
-A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte shpallur në kërkim me vendimin e vitit 2024, të Gjykatës së Shkodrës, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasi A. B. iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga, për përkrahje të autorit të krimit, shtetasi A. S., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqëronte shtetasin A. B., në momentin e kapjes nga shërbimet e Policisë. Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. S. transportonte shtetasin A. B., me motomjet, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër që bëri ekzekutimin e urdhrave për ndalimin e shtetasit A. B. dhe arrestimin e shtetasit A. S..
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
