Cilat janë shkaqet e mundshme të dhimbjes së kokës në mëngjes?

Zgjimi në të ftohtë dhe errësirë nuk është aspak një fillim i këndshëm i ditës, por kur këtij momenti i shtohet edhe një dhimbje koke e fortë, çdo mëngjes kthehet në një sfidë. Sipas Huff Post, ky shqetësim nuk është gjithmonë i padëmshëm.

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) thekson se shumica e dhimbjeve të kokës kalojnë vetë, por kur ato përsëriten, mund të sinjalizojnë probleme më serioze. Dr. Nancy Foldvari-Schaeffer, specialiste e gjumit, paralajmëron se dhimbjet kronike të kokës pas zgjimit shpesh lidhen me çrregullime të gjumit.

Një ndër shkaqet më të zakonshme është apnea e gjumit, një gjendje kur frymëmarrja ndërpritet gjatë natës, duke shkaktuar gërhitje të fortë, përgjumje ditore dhe rrezik për probleme më të rënda si presioni i lartë i gjakut apo dështimi i zemrës. Mjekët thonë se mbi gjysma e pacientëve me këtë çrregullim vuajnë edhe nga dhimbje koke në mëngjes.

Të tjera arsye përfshijnë bruksizmin (kërcitja e nofullës gjatë gjumit), pagjumësinë, si dhe faktorë si depresioni, ankthi, dehidratimi, migrena, dhimbjet e kokës në grupe apo konsumimi i alkoolit.

Ekspertët rekomandojnë të kërkohet ndihmë mjekësore nëse dhimbjet e kokës përsëriten, nuk qetësohen nga ilaçet, shoqërohen me të përziera, ndjeshmëri ndaj dritës, zhurmës ose lidhen me ciklin menstrual. Mbajtja e një ditari për dhimbjet e kokës sugjerohet gjithashtu si mjet i vlefshëm diagnostikues.

Mesazhi i mjekëve është i qartë: mos i nënvlerësoni dhimbjet e kokës së mëngjesit – ato mund të jenë një sinjal i hershëm për çrregullime serioze të gjumit dhe probleme të tjera shëndetësore.