Qeveria Rama ka në plan të kufizojë aksesin e gazetarëve në sallën e Parlamentit, duke hequr një nga mjetet më të rëndësishme të mediave për të ndjekur veprimtarinë e deputetëve dhe ministrave.
Ky hap rrezikon të pengojë kontaktin e drejtpërdrejtë mes gazetarëve dhe përfaqësuesve të popullit, duke cenuar rëndë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për informacion të saktë, të plotë dhe të paanshëm.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) i bën thirrje opozitës në Parlament, redaksive mediatike dhe partnerëve ndërkombëtarë të ndërhyjnë menjëherë për të mos lejuar realizimin e këtij kufizimi.
AGSH paralajmëron se çdo përpjekje për të penguar qasjen e gazetarëve do të dëmtojë transparencën dhe përgjegjësinë e institucioneve ndaj qytetarëve, duke e bërë më të vështirë mbikëqyrjen e punës së deputetëve dhe ministrave.
“AGSH do të informojë menjëherë partnerët ndërkombëtarë për këtë përpjekje kufizuese të lirisë së medias. Gjithashtu, i bën thirrje gjithashtu të gjitha redaksive mediatike që të ushtrojnë ndikimin e tyre për të mos lejuar realizimin e këtij plani”- citon AGSH.
Postimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është informuar për një plan të mazhorancës socialiste në Kuvend për të kufizuar gazetarët dhe mediat.
Planet e diskutuara së fundmi, për të mos lejuar kamerat brenda sallës së seancave plenare dhe për të kufizuar aksesin e gazetarëve në oborrin e Parlamentit, u heqin përfundimisht mundësinë gazetarëve për të pasur kontakte direkte me deputetët dhe ministrat, të cilët duhet të japin llogari për punën e tyre.
AGSH i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të mos avancojnë me këto plane, të cilat dëmtojnë rëndë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar.
AGSH i bën thirrje opozitës në Parlament që të përdorë të gjitha instrumentet për të mos lejuar një kufizim të tillë.
AGSH do të informojë menjëherë partnerët ndërkombëtarë për këtë përpjekje kufizuese të lirisë së medias.
AGSH i bën thirrje gjithashtu të gjitha redaksive mediatike që të ushtrojnë ndikimin e tyre për të mos lejuar realizimin e këtij plani.
Oborri i Parlamentit dhe salla e tij janë “ishulli” i fundit që u ka mbetur mediave për të bërë pyetje dhe për të xhiruar pa regji.
