Ilir Meta sërish kërkesë në GJKKO për lirim nga qelia, ja kur do të mbahet seanca ndaj ish-Presidentit

Presidenti i PL-së, Ilir Meta, ka bërë sërish kërkesë në GJKKO për lirim nga qelia.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës së ish-Presidentit për zëvendësimin e masës së sigurisë do të mbahet më 19 shtator 2025.

Kërkesa e Ilir Metës, e depozituar nga avokatët e tij, për lirim nga burgu ku ndodhet prej datës 21 Tetor 2024, do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka.

“Kërkuesi Ilir Metaj, me gjeneralitetet dhe adresën e mësipërme, me anë të kësaj kërkese drejtuar Gjykatës Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar, ka si qëllim revokimin e masës sigurimit personal të arrestit në burg, vendosur kjo me vendimin nr. 125 datë 20.10.2024 dhe vendimit nr.130 datë 23.10.2024 të Gjykatës Shkallës Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar lënë në fuqi me vendimin nr. 59 (87-2024-333) datë 19.11.2024 nga Gjykata e Posaçme Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar”, shkruhet në letrën e depozituar nga përfaqësuesit ligjorë të Presidentit të PL-së.

Ndërkohë, GJKKO ka caktuar datën 25 shtator, ora 11:00, për zhvillimin e seancës së parë paraprake ndaj Ilir Metës dhe katër personave të tjerë të pandehur nga SPAK. Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila u përzgjodh përmes shortit elektronik.

Gjyqtarja Irena Gjoka do vendosë nëse çështja do kalojë për gjykim, do kthehet në SPAK për hetime të mëtejshme apo do pushohet.