Foto ilustruese
LUSHNJË- Shefi i regjimit të brendshëm në Lushnjë është arrestuar nga policia mbrëmjen e sotme. Arrestimi i tij erdhi pas denoncimit në një emision investigative, ku përmes disa pamjeve, ai shfaqej duke marrë vlera monetare në këmbim të një leje shpërblyese për të burgosurit. Bëhet fjalë për nje shumë prej 700 eurosh, në këmbin për 5 ditë leje daljeje nga burgu.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar duke njoftuar arrestimin e tij në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), teksa dënon me forcë çdo akt të paligjshëm dhe korruptiv.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:
Në lidhje me pamjet e transmetuara në emisionin investigativ “Stop”, ku shfaqet një punonjës i Policisë së Burgjeve duke marrë vlera monetare në këmbim të një leje shpërblyese, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka ndërmarrë menjëherë veprimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Punonjësi i identifikuar është komisar H. L, me detyrë shef i regjimit të brendshëm në IEVP Lushnjë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me forcë çdo akt të paligjshëm dhe korruptiv që bie ndesh me etikën dhe misionin e sistemit penitenciar.
Distancohemi qartësisht nga veprime të tilla individuale, që nuk përfaqësojnë strukturën dhe angazhimin tonë për një administratë të ndershme, transparente dhe të përgjegjshme.
