Nga Tabaku te Boçi, Zhupa dhe…/ PD emëron kryetarët e komisioneve! Berisha paralajmëron “betejë” në Kushtetuese

partia demokratike

TIRANË- Partia Demokratike ka caktuar sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, 4 kryetarët e komisioneve të Kuvendit që do të drejtohen nga deputetët e opozitës. Mësohet se PD ka emëruar si kryetarë Luciano Boçin, Ina Zhupën, Jorida Tabakun dhe Bardh Spahinë.
Ina Zhupa do të drejtojë Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën
Jorida Tabaku do të drejtojë Komisionin për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik 
Bardh Spahia do të drejtojë Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Luçiano Boçi do të drejtojë Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet
Ndërkohë, demokratët miratuan edhe nënkryetarët e tyre në komisionet e tjera parlamentare.
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – nënkryetar Eno Bozo
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – nënkryetar OERD Bylykbashi
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – nënkryetar Klevis Balliu
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – nënkryetar Bledi Himci
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – nënkryetar Xhelal Mziu
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme – nënkryetar Albana Vokshi
Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale – nënkryetar Ivi Kaso
Gjatë mbledhjes, kreu i demokratëve Sali Berisha foli edhe për miratimin nga ana e socialistëve të strukturës së re të Kuvendit, një akt që sipas tij përbën shkelje të parimeve themelore të Kushtetutës. Megjithatë, pavarësisht se procesi i votimit u bojkotua nga opozita, ndryshimet u miratuan me 79 vota pro. Berisha paralajmëroi se kërkesa për pezullimin e vendimit të sotëm do të dërgohet me urgjencë në Gjykatën Kushtetuese.
“Është një dëshmi tjetër e zëvendësimit në këtë vend të shtetit ligjor me narkoshtetin. Në këtë kontekst unë e dënoj me forcën më të madhe një akt të tillë, një fillim të tillë dhe ndryshe nuk mund të ishte nga ky grup njerëzish. Imagjinoni ju se çfarë janë të aftë të bëjnë. U shkel Kushtetuta, u shkel rregullorja e parlamentit, institucionit më të rëndësishëm pas Kushtetutës në Shqipëri. Është institucioni numër 1 kushtetues i vendit dhe rregullorja e tij është ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës”, deklaroi Berisha.
Edhe Diella do të jetë pjesë e shkresës për në Gjykatë. Berisha akuzoi Presidentin Bajram Begaj për shkelje të rëndë të Kushtetutës, duke e cilësuar dekretin e tij si “të paprecedentë”.
“Duhet ta çojmë urgjentisht këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese. Kemi të bëjmë me njerëz të papërgjegjshëm për detyrën, të gatshëm të firmosin gjithçka. Nuk ndodh. Nuk besoj se ndonjë diktator tjetër të ketë pasur këtë fuqi asgjësuese për kreun e shtetit”, u shpreh Berisha./ZËRI