SYRI TV/ Çelet kapitulli i radhës për integrimin, BE: Integrimi, rëndësi gjeostrategjike

Bashkimi Evropian ka çelur kapitullin e radhës për integrimin e Shqipërisë. Në konferencën për shtyp në Bruksel, ministrja daneze Marie Bjerre dhe eurokomisionerja Marta Kos theksuan se ky hap është i rëndësishëm gjeostrategjik për shkak të luftës që po ndodh në Ukrainë.

SYRI TV

Shqipëria ka avancuar më tej me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian me çeljen e grupkapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Në konferencën e mbajtur në Bruksel, ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, që ka Presidencën e Bashkimit Evropian, e cilësoi këtë ecuri si të domosdoshme për të treguar vendosmërinë e BE-së për zgjerim, të mbështetur në interesat gjeostrategjike për shkak të asaj që po ndodh me luftën në Ukrainë.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ndërsa theksoi realizimin e reformave integruese, konfirmoi rëndësinë gjeostrategjike të zgjerimit.

Kryeministri Edi Rama përdori sërish të njëjtën retorikë, duke shprehur vullnetin për “martesën me Bashkimin Evropian”.

Kapitulli i hapur sot parashikon ndërmarrjen e reformave në fushën e mjedisit dhe energjetikës, duke nisur që nga menaxhimi i mbetjeve, niveli i ndotjes, si dhe mbrojtja e pasurive natyrore.