Erdogan: Izraeli duhet të frenohet ekonomikisht, OIC dhe Liga Arabe kanë forcën për këtë!

Izraeli do të vazhdojë veprimet e tij destabilizuese në rajon, prandaj duhet të kufizohet ekonomikisht, gjë që mund ta bëjnë vendet e Lidhjes së Shteteve Arabe (LAS) dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Ne duhet të shtojmë përpjekjet tona për të shtrënguar sanksionet kundër Izraelit. Është e nevojshme të përdoren mekanizmat ligjorë ndërkombëtarë për t’i mbajtur zyrtarët izraelitë përgjegjës. Izraeli nuk do të ndalet së shpejti pa një përgjigje dhe sanksione vendimtare, por vetëm do të përshpejtojë politikën e tij të pushtimit dhe destabilizimit. Ne e dimë se kemi forcën dhe mjetet për ta parandaluar këtë. Ne duhet të shtojmë bashkëpunimin tonë tani për të fituar 10 vitet e ardhshme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne të arrijmë një nivel vetëmjaftueshmërie në disa fusha, para së gjithash, në industrinë e mbrojtjes”, tha ai në një samit të jashtëzakonshëm të OBI-t dhe Lidhjes Arabe.

Teksa tha se Turqia ka ndaluar të gjitha operacionet tregtare me Izraelin gjatë një viti e gjysmë të kaluar, Erdogan shtoi se kjo masë tregoi efektivitet.

‘Unë besoj se mbështetja e çështjes së gjenocidit të paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është gjithashtu shumë e rëndësishme. Duke punuar së bashku, ne duhet të jemi në gjendje të zbatojmë hapa dhe mekanizma konkretë që do të sigurojnë sigurinë e rajonit. Unë besoj se është e mundur ta bëjmë këtë brenda organizatës sonë”, tha Erdogan.

“Lufta e vendosur do të vazhdojë derisa të krijohet një shtet gjeografikisht integral i Palestinës me kryeqytet Jerusalemin Lindor brenda kufijve të vitit 1967. Ne nuk mund të lejojmë dëbimin, gjenocidin apo përçarjen në këtë kauzë të shenjtë. Shpresoj që vendimet që do të marrim në samit do të çojnë në hapa të mëtejshëm për t’i dhënë fund kërcënimit izraelit dhe që rezultatet e takimit tonë do të zbatohen me përpikëri”, theksoi presidenti turk./ CNN Turk.