Miliona euro të humbura- Firmat piramidale online, Policia ‘zbarkon’ në 5 qytete, 6 të arrestuar, 2 në kërkim

LUSHNJE- Policia e shtetit ka zhvilluar një operacion në lidhje me firmat piramidale online TXEX dhe XEUX, të raportuara më herët nga ZËRI, ku janë mashtruar mijëra qytetarë. Skema e përdorur nga anëtarët e platformave, raportohet të jetë ajo e mashtrimit tipik ‘Ponzi’. Operacioni është shtrirë konkretisht në Dibër, Fier, Lushnjë, Divjakë Tiranë e Gramsh, qytete me numrin më të lartë të përdoruesve. Paraprakisht bëhet me dije se nga aksioni i zhvilluar janë arrestuar 6 persona, Arbër Çela 38, Emanuel Taullau 21 vjeç, ⁠Flavio Mukaj 23 vjeç, ⁠Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini 38 vjeçe. Ndërkohë dy të jerë janë shpallur në kërkim.
ZËRI mësoi se skema është aq masive në Lushnje, ku ishte hapur edhe një lokal që mban si logo emrin e lojës dhe afrohen fermerët për të bërë blerjet në skemën piramidale. Policia tashmë ka goditur bazën, ku raportohet të jenë sekuestruar edhe shuma të konsiderushme parash. 

Të arrestuarit kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve në aplikacione si Telegram. Qytetarët udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.

Disa javë më parë, një denoncim i mbërritur në redaksinë e ZËRI na vuri nën alert për një skemë e cila sipas denoncuesit anonim ishte duke zhvatur qytetarët shqiptarë. Situata u bë alarmante pasi qytetarët të cilët kanë investuar lekë, kërkojnë të tërheqin shumën që kanë hedhur ose ato që kanë fituar, por nuk kanë arritur ti marrin mbrapsht. Në skemë janë një rrjet i gjerë i pikave të këmbimit valutor që bëjnë kthimin e parave nga dollarë fizikë në një portofol dixhital me ‘ustd’. Pasi portofoli virtual i fermerit mbushet me monedhat virtuale ai është i lirë të investojë.

Dy platformat TXEX dhe XEUX paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta dhe shpërndahen në disa rrjete sociale, ku më kryesori është në Telegram. Numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para raportohet të jetë gati 6 mijë. ZËRI u interesua nga afër ku banorët e Divjakës treguan me detaje se si investojnë lekët dhe rrugën që ndjekin nga regjistrimi në platformë deri tek mënyra si i tërheqin lekët. Ndërkohë, organizatorët e këtij aktiviteti kriminal vijojnë të jenë nën hetim nga policia shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk është arrestuar./ZËRI