Vangjush Dako
DURRËS-Një sasi lëndë plasëse e gjetur në një vazo lulesh ka alarmuar banorët e Durrësit mbrëmjen e djeshme. Tritoli u konstatua në hyrje të ish-hotelit “Pameba” në pronësi të Edmond Dakos, vëllait të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Lënda shpërthyese, e dyshuar si tritol, ishte e lidhur me një celular dhe mendohet se ishte gati për t’u aktivizuar. Policia dhe forcat xheniere mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe bënë një shpërthim të kontrolluar. Fatmirësisht nuk u raportua për persona të lënduar.
Njoftimi i policisë:
Në lagjen nr. 1, Durrës, në hyrje të një ndërtese (ish-hotel, jashtë funksionit), në një nga vazot e luleve është gjetur një sasi e dyshuar lëndë plasëse, dyshohet artizanale. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e llojit të lëndës së gjetur, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ende nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me ish-kryebashkiakun e Durrësit, por kujtojmë se më 20 maj të këtij viti një ngjarje e ngjashme ndodhi rreth 50 metra distancë nga banesa e ish-kryebashkiakut, ku u gjet 70 gramë eksploziv, e lënë në rrugë nga persona edhe sot ende të paidentifikuar dhe në rrethana të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar autorët dhe shkakun e vendosjes së lëndës plasëse.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është dënuar me 2.8 vite burg. Dako u vu në pranga në qershor të vitit2023 dhe u hetua për dy raste shpërdorimi detyre, për ndërtimin e pallatit 11-katësh dhe për projektin “Promenadë Bregdetare”. Por për akuzat e ngritura ndaj tij ka kërkuar pafajësi./ZËRI
