SYRI TV/ Konstituohet Parlamenti i ri, betohen deputetët – Niko Peleshi zgjidhet kryetar i Kuvendit

Kuvendi është mbledhur sot pasdite për të zhvilluar ceremoninë e betimit të 138 deputetëve të rinj, të dalë nga zgjedhjet e kontestuara të 11 majit, pasi 2 deputetë të PSD-së, mes të cilëve Tom Doshi, hoqën dorë nga mandati. Pas betimit, Partia Socialiste propozoi emrin e Niko Peleshit për kryetar të Kuvendit një propozim që u kundërshtua ashpër nga opozita, e cila e cilësoi të turpshëm këtë emërim, duke theksuar se Peleshi është mik i Klodian Zotos. Deputetët e opozitës mbushën kutinë e votimit me pankarta, në të cilat denonconin lidhjet e qeverisë me krimin dhe korrupsionin. Socialistët, në mënyrë skandaloze, nuk respektuan minutën e heshtjes të kërkuar nga opozita në nderim të 27-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit.

Syri TV

Parlamenti është mbledhur pasditen e së premtes, ku është zhvilluar ceremonia e betimit të deputetëve të rinj të dalë nga procesi i kontestuar zgjedhor i 11 majit.

Partia Socialiste ka propozuar Niko Peleshin për detyrën e kryetarit të Kuvendit, propozim që është kundërshtuar me forcë nga Partia Demokratike, e cila deklaroi se mazhoranca nuk ka legjitimitet për të zgjedhur drejtuesin e Kuvendit.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi lidhjet mes Peleshit dhe biznesmenit në kërkim të aferës së inceneratorëve, Klodian Zoto.

Deputetët e opozitës kanë refuzuar të marrin fletët e votimit dhe, në kutitë e vendosura në sallën e seancave, kanë hedhur pankarta që paraqisnin lidhjet e qeverisë, Kryeministrit Rama dhe deputetëve socialistë me kartelet e drogës, krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Partia Socialiste u bë protagoniste e një skandali që në nisje të punimeve të Kuvendit, duke mos respektuar kërkesën e Partisë Demokratike për mbajtjen e një minute heshtje në nderim të liderit të lëvizjes së dhjetorit, Azem Hajdari, me rastin e 27-vjetorit të ekzekutimit të tij.

Gjatë kësaj seance, u betuan vetëm 138 deputetë të Kuvendit, pasi ashtu si katër vite më parë, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, si dhe deputetja e zgjedhur e PSD-së, Sabina Jorgo, hoqën dorë nga mandati.

Ata do të zëvendësohen nga Osman Tata dhe Bledar Mezini, pjesë e listës shumëemërore të Partisë Socialdemokrate.