Shpërbëhet Parlamenti i Nepalit, futet në zgjedhje në mars 2026

Parlamenti i Nepalit, pas protestave masive dhe të dhunshme, është shpërndarë zyrtarisht.

Kjo shpërbërje ka ardhur ditën e sotme, 12 shtator 2025. Sipas Presidentit të Nepalit, Ram Chandra Poudel, vendi do të futet në zgjedhje parlamentare të pjessshme në mars të vitit 2026.

Vendimi për zgjedhjet e parakohshme vjen pak pas emërimit të kryeministres së përkohshme Sushila Karki.

“Me rekomandimin e kryeministres, parlamenti është shpërndarë. Data e zgjedhjeve është 5 marsi 2026”, tha për AFP Kiran Pokharel, këshilltar për shtypin i presidentit.

Rezidenca zyrtare e ish-ministrave të kabinetit u dogj të mërkurën pas dy ditë protestash vdekjeprurëse kundër korrupsionit, të udhëhequra nga të rinjtë. Protestat e tyre detyruan kryeministrin K.P. Sharma Oli të japë dorëheqjen.

Pas djegies së selisë qeveritare dhe shtëpive të politikanëve, protestuesit kanë kapur dhe dhunuar ministra të qeverisë, duke i detyruar të ecin në lumë të zhveshur lakuriq.

Sakaq, pas lajmit të dorëheqjes së kryeministrit, turma të mëdha të rinjsh festuan brenda kompleksit të parlamentit, duke brohoritur dhe shkruar grafite me fjalët “Ne fituam” në muret e ndërtesës. Dëshmitarët thonë se, ndonëse protestuesit vazhduan të qëndrojnë në rrugë, nuk pati përplasje të reja pasi forcat e sigurisë nuk ndërhynë.

Qeveria e Oli-t kishte shpallur një ndalim të rrjeteve sociale, vendim që ndezi zemërimin popullor dhe çoi në shpërthimin e demonstratave. Përballë presionit, ndalimi u hoq, por reagimi i dhunshëm i forcave të rendit vetëm sa e thelloi krizën.

Kjo valë dhune konsiderohet si më e rënda që prej vitit 2006, kur një kryengritje popullore detyroi mbretin e fundit të Nepalit të dorëzonte pushtetin ekzekutiv, një revoltë ku humbën jetën 18 persona. Dy vjet më vonë, monarkia u shpall e shfuqizuar dhe u shpall republika.