‘Bella Ciao…’/ Vrasësi i aktivistit Charlie Kirk e kishte gdhendur mesazhin në plumb! Detaje të reja

Pak minuta pasi FBI konfirmoi arrestimin e Tyler Robinson, 22 vjeç, nga Utah, si ekzekutuesin me snajper të aktivistit Charlie Kirk të mërkurën në universitetin e Utah, zbulohen detaje nga hetimet që janë ende aktive.

Hetuesit kanë zbuluar se në një nga plumbat ai kishte shkruar mesazhin fatal: “Bella Ciao”, informon media.

Nuk jepen hollësi nëse mesazhi gjendej tek plumbi që i mori jetën Kirkut dhe informacionet janë në përditësim.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi arrestimin në një intervistë në media më herët. Vrasësi ia rrëfeu vrasjen babait të tij, i cili e bindi të dorëzohej, por motivet mbeten të panjohura.

“Ai kishte postuar mesazhe në Discord rreth planit për të vrarë Kirk-un”, informon media amerikane.

Videoja e mbikëqyrjes e Universitetit të Luginës së Utahut tregon Tyler Robinson, të cilin autoritetet e akuzojnë për vrasjen e Charlie Kirk, duke mbërritur pranë kampusit me një Dodge Challenger të mërkurën në mëngjes, rreth katër orë para sulmit, sipas guvernatorit të Utahut.

Ai kishte veshur një bluzë të thjeshtë ngjyrë kafe, pantallona të shkurtra me ngjyra të çelëta, një kapelë të zezë “xhoker” me një logo të bardhë dhe këpucë me ngjyra të çelëta, tha guvernatori i Utah, Cox, në konferencë.

Kur hetuesit e takuan atë këtë mëngjes, i dyshuari kishte veshur rroba “në përputhje” me atë që shihej në video, shtoi guvernatori.