Eksportuan 8 ton domate me pesticide në Kroaci, Gjykata e Beratit lë në burg administratorit dhe liron dy inspektorët

Grisedla Doksani dhe Ronald Lika

BERAT- Gjykata e Beratit ka caktuar masat e sigurisë për 3 personat e arrestuar dy ditë më parë në kuadër të operacionit “Again”, pasi Kroacia bllokoi 8 ton domate me pesticide të eksporutara nga Shqipëria. Tre të arresuarit u paraqitën në seancën e sotme, ku u vendos “arrest me burg” për Mariglen Qorrin 40-vjeç, administrator i kompanisë së eksportit të perimeve, ndërsa për dy punonjësit e AKU-së, Griselda Doksanin 25-vjeçe dhe Ronaldo Lika 27-vjeç, gjykata i la në “arrest shtëpie”. 

Aministratori Mariglen Qorri akuzohet për veprat “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Ndërkohë 2 inspektorët, Griselda Doksani dhe Ronaldo Lika akuzohen për “shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve bëhet me dije se Qorri kishte eksportuar drejt Kroacisë 8 tonë domate, të cilat rezutuan me përmbajtje të lartë pesticidesh. Gjithashtu, sipas prokurorisë, për të shmangur përgjegjësinë ligjore, ai ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë. Nga ana tjetër, dy inspektorët kanë neglizhuar detyrimet ligjore duke lejuar kalimin e produkteve të dyshimta në treg.

Vetëm pak ditë më parë u bllokuan tonelata me pjeshkë nga Kroacia dhe Bosnje Hercegovina. Gjithashtu edhe Sllovenia bllokoi specat e kuq me origjinë nga Shqipëria, për shkak të nivelit të lartë të pesticidëve./ZËRI