Nga Morgan Phillips, FOX NEWS
Departamenti i Shtetit do të monitorojë fjalët e shtetasve të huaj që “glorifikojnë dhunën” pas të shtënave ndaj Charlie Kirk dhe do të marrë “veprime të përshtatshme”.
“Në dritën e atentatit të tmerrshëm të djeshëm ndaj një figure kryesore politike, dua të theksoj se të huajt që glorifikojnë dhunën dhe urrejtjen, nuk janë vizitorë të mirëpritur në vendin tonë,” shkroi Zëvendës Sekretari i Shtetit Chris Landau në X.
“Jam neveritur kur shoh disa në rrjetet sociale që lavdërojnë, justifikojnë ose gëzohen nga kjo ngjarje, dhe kam udhëzuar zyrtarët tanë konsullorë të ndërmarrin veprime të përshtatshme. Ju lutem, ndihuni të lirë të më raportoni komente të tilla nga të huajt që Departamenti i Shtetit të mund të mbrojë popullin amerikan”.
Landau tha në një postim pasues se do të udhëzojë zyrtarët e tij konsullorë të monitorojnë përgjigjet ndaj postimit të tij në X, ku kritikonte shtetasit e huaj në SHBA me viza që postuan një retorikë të tillë.
Në qershor, Departamenti i Shtetit tha se do të monitorojë postimet në rrjetet sociale të aplikantëve për vizë dhe se do t’u kërkojë aplikantëve që ta bëjnë profilin e tyre në rrjetet sociale “publik”.
Departamenti i Shtetit ka revokuar tashmë mbi 6,000 viza studentësh, sepse përfituesit ose kishin qëndruar më gjatë sesa lejohej me vizë, ose kishin shkelur ligjin. “Shumica dërrmuese” e shkeljeve ligjore ishin sulm fizik, drejtim nën ndikimin e alkoolit, vjedhje ose “mbështetje e terrorizmit”.
Të mërkurën, Kirk, një aktivist konservator 31-vjeçar, baba i dy fëmijëve dhe bashkëthemelues i ‘Turning Point USA’, u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti ku po mbante fjalim në ‘Utah Valley University’ në Orem, Juta. Ngjarja ishte pjesë e “Turneut të Rindërtimit Amerikan” të tij, i cili tërhoqi një turmë prej rreth 3,000 pjesëmarrësish.
Kirk po i përgjigjej një pyetje nga audienca mbi të shtënat masive që përfshinin individë transgjinorë, kur një plumb e goditi në qafë. Armë e përdorur, e cila u gjet më vonë, ishte një pushkë me fuqi të lartë, e gjetur në një zonë pyjore pranë vendit të ngjarjes. Autoritetet besojnë se plumbi erdhi nga një çati rreth 200 metra larg.
Ndërkohë që i dyshuari mbetet në arrati, FBI-ja publikoi së fundmi imazhe, duke bërë apel tek publiku për ndihmë në identifikimin e autorit.
