Dënohet me 27 vite e tre muaj burg ish-presidenti i Brazilit

Jair Bolsonaro

BRAZIL-Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro është dënuar me 27 vjet e tre muaj burgim, pasi u shpall fajtor për komplot për grusht shteti ushtarak. BBC shkruan se trupa gjykuese e përbërë nga 5 gjygjtarë e shpalli fajtor për udhëheqjen e një komploti që synonte ta mbante në pushtet pasi humbi zgjedhjet e vitit 2022 ndaj rivalit të tij të krahut të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva.
Avokatët e Bolsonaros e kanë quajtur dënimin “absurd dhe të tepruar” dhe kanë thënë se do të paraqesin “ankesat e duhura”. Paneli i Gjykatës së Lartë gjithashtu e ndaloi atë të kandidonte për poste publike deri në vitin 2033.
Bolsonaro, i cili u vu në arrest shtëpiak pasi u konsiderua si rrezik për t’u arratisur, nuk mori pjesë personalisht në gjykatë. Në deklaratat e para ish-presidenti është shprehur se e gjitha kjo ishte hartuar për ta penguar atë të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026 edhe pse atij i ishte ndaluar tashmë të ushtronte detyrë publike për akuza të veçanta. Ai e ka quajtur çështjen një “gjueti shtrigash”.

Fjalët e tij janë përsëritur më parë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili vendosi tarifa prej 50% për mallrat braziliane, duke i cilësuar ato si hakmarrje për ndjekjen penale të Bolsonaros./ZËRI