Brazil, 12 shtator 2025 – Gjykata e Lartë e Brazilit shpalli fajtor ish-presidentin Jair Bolsonaro për komplot grushti shteti, duke e akuzuar se u përpoq të qëndronte në pushtet edhe pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022.
Sipas vendimit, Bolsonaro u shpall fajtor për disa akuza të rënda, përfshirë pjesëmarrjen në një organizatë kriminale të armatosur, tentativën për të përmbysur rendin demokratik, organizimin e grushtit të shtetit dhe dëmtimin e institucioneve shtetërore dhe pronës së mbrojtur kulturore. Vendimi u mor nga shumica e trupës gjyqësore, me katër nga pesë gjyqtarë që votuan për fajësi.
Pasojat
Ish-presidenti rrezikon një dënim që mund të arrijë deri në 40 vjet burg, si dhe është zyrtarisht i penguar të kandidojë për poste publike deri në vitin 2030. Nga ana e tij, Bolsonaro i ka mohuar akuzat, ndërsa avokatët e tij pretendojnë se procesi është politik dhe se nuk janë paraqitur prova të mjaftueshme.
Reagimet e mëhershme të Trump
Vendimi ka ngjallur reagime të forta edhe jashtë Brazilit. Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar procesin si një “gjueti shtrigash” dhe ka kërkuar që autoritetet braziliane “ta lënë Bolsonaron në paqe”. Ai shtoi se lideri brazilian “nuk është fajtor për asgjë, përveçse ka luftuar për popullin”, duke e krahasuar situatën e tij me sfidat e veta ligjore.
