Rusia rihap Aeroportin e Krasnodarit, i mbyllur që nga fillimi i ofensivës kundër Ukrainës në vitin 2022

Ministria e Transportit e Rusisë njoftoi sot rihapjen e Aeroportit të Krasnodarit, një nga qendrat më të mëdha ajrore në jug të vendit, i cili kishte qëndruar i mbyllur për arsye sigurie që nga nisja e ofensivës ushtarake në Ukrainë në vitin 2022.

“Hapja e Aeroportit të Krasnodarit jo vetëm që do të zgjerojë mundësitë për banorët dhe bizneset në rajon, por gjithashtu do t’i bëjë pushimet në Detin Azov dhe Detin e Zi më të arritshme”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Vendimi u mor pas rekomandimit të grupit të punës të Agjencisë së Aviacionit Civil Rus (Rosaviatsia), si dhe pas rinovimit të një pjese të infrastrukturës së aeroportit.

Ky është aeroporti i tretë në Rusinë jugore që rihapet nga 11 të mbyllur që prej vitit 2022 për shkak të rrezikut të sulmeve ajrore ukrainase.

Aeroporti i Elistës në Kalmykia rifilloi operacionet në maj 2024, ndërsa ai i Gelendzhikut në korrik të këtij viti. Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, Aeroporti i Elistës ka pritur mbi 43,000 pasagjerë, ndërsa ai i Gelendzhikut rreth 77,000 pasagjerë që prej rihapjes së tyre.