Shqipëria jashtë Eurovision-it?! Kriza financia lë gazetarët pa rroga, Eni Vasili: RTSH në situatë katastrofike, s’është faji im por…

Foto ilustrim: Eni vasili-rtsh-eurovision

TIRANË- Shqipëria rrezikon të mbetit jashtë Eurovisionit. Shkak për këtë është bërë kriza e thellë financiare me të cilën po përballet Radio Televizioni Shqiptar (RTSH). Kjo situatë krijon pasiguri mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Eurovision 2026, pasi çdo dështim në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj EBU-së mund të rrezikojë bashkëpunimin e transmetuesit dhe të drejtat ndërkombëtare të transmetimit. Për të shmangur humbjen e një prej ngjarjeve më të rëndësishme vjetore të transmetuesit, menaxhmenti i RTSH-së pritet të rishikojë dhe borxhet dhe të marrë vendime që synojnë stabilizimin financiar. 
Ndërkohë, drejtuesja e re, Eni Vasili thotë se ka një prioritizim të pagesave, duke u përqendruar në detyrimet ndaj Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) për të siguruar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Eurovision.
“Sigurisht, ka një prioritizim të pagesave në këtë moment dhe po përpiqemi të shlyejmë disa detyrime ndërkombëtare fillimisht, disa prej të cilave nuk janë paguar që nga janari 2024. Mosshlyerja e tyre do ta vendoste RTSH-në në rrezik për të humbur partneritetin me EBU-në dhe pjesëmarrjen në Eurovizion, apo humbjen e shumë të drejtave televizive”, tha Vasili për BIRN.
Siç u bë me dije më herët, kriza financiare e RTSH ka arritur një pikë kritike: drejtuesit kanë kërkuar zyrtarisht një paketë emergjente prej 2 milionë euro. Menaxhmenti e ka përshkruar situatën si një “nivel katastrofik borxhesh dhe detyrimesh”, teksa bordi i ri “po bën çmos për të menaxhuar krizën”.
“Falenderoj të gjithë gazetarët, autorët dhe moderatorët e projekteve të mars-qershorit 2025 për mirëkuptimin lidhur me vonesat në pagesat e RTSH-së. Sigurisht, nuk është përgjegjësia e tyre që iu premtuan projekte që nuk mund të paguheshin, por kjo nuk e bën menaxhmentin e ri përgjegjës, i cili është përballur me një situatë katastrofike borxhesh dhe detyrimesh dhe po përpiqet të bëjë më të mirën për ta menaxhuar atë”, tha Vasili për BIRN.
Keqmenaxhimi i financave të institucionit publik, ka sjellë ngërç që prej marrjes së detyrës nga Eni Vasili, e cila ka theksuar rrezikun për pamundësinë e shlyerjes së pagave ndaj punonjësve. Kriza e thellë financiare ka lënë dhjetëra gazetarë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm pa pagesë deri në pesë muaj. Siç është raportuar në media, stafi dhe bashkëpunëtorët kanë kërkuar vazhdimisht shpjegime nga drejtuesit, ndërsa nuk iu është dhënë asnjë komunikim zyrtar apo afat për shlyerjen e detyrimeve.
Vasili ngriti alarmin për gjendjen kritike financiare, duke pranuar se kjo gjendje është si pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimi nga drejtuesit e paraardhshëm, duke përfshirë periudhën e emërimit dhe shkarkimin të Alfred Pezës. 
Gazetarja dhe moderatorja, Eni Vasili është zgjedhur drejtoreshë e Radio Televizionit Shqiptar. Gazetarja u vendos në krye të RTSH, duke siguruar 7 votat e nevojshme. 
Debati për garën e drejtuesit të ri të RTSH, nisi pas largimit të Alfred Pezës nga detyra. Për kreun e RTSH garuan: Harilla Koçi; Jetmir Shpuza; Enrik Mehmeti; Floriana Paskali; Eni Vasili; Ermal Hoxha; Aurora Polo; Kliton Rama; Flamur Buçрарај dhe Laureta Roshi. Por, 8 prej tyre u skualifikuan dhe në raundin e dytë kaluan vetëm dy: drejtuesja e komanduar Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza. Në garë u gjetën parregullsi, gjë që solli edhe reagimin e partive politike (PS dhe PD), ku kërkuan zgjedhje të drejta. Po ashtu, edhe ndërkombëtarët bënë thirrje për transparencë në këtë garë. Pas kësaj ndërhyri Kuvendi i Shqipërisë ku vendosi shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së./ZËRI