Pas gati një dekade, për herë të parë që prej vitit 2016, Qeveria Shqiptare ka miratuar kostot e reja të ndërtimit të banesave, në përputhje me realitetin aktual të tregut.
Vendimi është marrë mbi bazën e një propozimi nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, (MEKI) në bashkëpunim me Entin Kombëtar të Banesave.
Sipas këtij vendimi: kostoja mesatare e ndërtimit për vitin 2025 është vendosur në 56,491 lekë/m² për sipërfaqe shfrytëzimi, në nivel republike; për çdo qytet janë përcaktuar vlerat specifike të ndërtimit; në rast mungese të të dhënave për një qytet të caktuar, do të përdoren vlerat e qytetit më të afërt; në rast të ndryshimeve të çmimeve sipas manualit të integruar të çmimeve të ndërtimit, të dhënat e gjeneruara nga e-Albania do të kenë përparësi ndaj kostos mesatare të miratuar.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe përmirësimit të politikave sociale të strehimit në Shqipëri.
