Seuli thotë se do t’i japë përparësi negociatave për tarifat pas telefonatës me Trump

Rregullimi i tarifave të SHBA-së për mallrat e importuara nga Koreja e Jugut është “një qëllim kryesor” në marrëveshjet e ardhshme të Seulit me Uashingtonin, tha zyra e kryeministrit të mërkurën, disa orë pas telefonatës së presidentit në detyrë Han Duck-soo me presidentin amerikan Donald Trump.

Një zyrtar qeveritar tha të mërkurën se Seuli do të punojë për të ulur tarifat amerikane, që pritet të dëmtojnë ekonominë e Koresë së Jugut të drejtuar nga eksporti. Një tarifë prej 25 përqind për shumicën e mallrave të importuara të Koresë së Jugut në SHBA, hyri në fuqi në orën 13:01 të së mërkurës në Seul.

“Rregullimi i tarifës ka të ngjarë të jetë qëllimi kryesor”, tha Bang Ki-sun, ministër i Zyrës për Koordinimin e Politikave Qeveritare që përbëhet nga Zyra e Kryeministrit dhe sekretariati i tij, në konferencën e tij në lidhje me bisedën telefonike midis Han dhe Trump të martën.

“Siç jeni në dijeni, prioriteti kryesor i qeverisë është të adresojë rreziqet tregtare,” shtoi Bang. “Ne po i japim përparësi punës sonë (për të reduktuar këto rreziqe), duke i kushtuar vëmendje mënyrës sesi do të riorganizohet rendi ndërkombëtar… Ne do të bëjmë çmos në negociatat tregtare, që të mos marrim masa që janë në disfavorin tonë.”

Vërejtjet erdhën pas një bisede telefonike 28-minutëshe midis Han dhe Trump që përfundoi rreth orës 21:30 të së martës me orën e Seulit, në bisedimet e para midis liderëve të dy vendeve që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Han ka marrë përkohësisht rolin e ish-presidentit në detyrë për të zëvendësuar Yoon Suk Yeol-in, i cili u hoq nga detyra e tij të premten.

Bang theksoi sugjerimin e Han për “përpjekje afatmesme dhe afatgjata për të përmirësuar ekuilibrin (tregtar dypalësh)”, nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh në një projekt të gazit natyror të lëngshëm të SHBA-së dhe ndërtimin e anijeve.

Trump u ka bërë ballë firmave koreano-jugore, në lidhje me një projekt të bllokuar të tubacionit LNG me vlerë 44 miliardë dollarë në Alaskë. Presidenti amerikan ka shprehur gjithashtu synimin e tij për të transferuar ndërtimin dhe riparimet e anijeve ushtarake në kantieret detare të Koresë së Jugut.

Bang, megjithatë, nuk pranoi të zbulonte komentet specifike të Hanit, që adresonin deficitin tregtar të SHBA-së ose të jepte edhe një vlerësim të përafërt të investimit të mundshëm të Koresë së Jugut në projektin LNG, të diskutuar gjatë telefonatës së Hanit me Trump. Ai gjithashtu ishte përmbajtur të thoshte nëse Seuli kishte ndërmend t’i kërkonte Uashingtonit të shtynte tarifat e planifikuara prej 25 përqind për mallrat e Koresë së Jugut, që nga mëngjesi i së mërkurës.

Biseda telefonike u zhvillua ndërsa një delegacion i zyrtarëve të Koresë së Jugut, i kryesuar nga ministri i Tregtisë, Cheong In-kyo, ishte rrugës për në Uashington për bisedime tregtare me homologët e tyre amerikanë, ku Trump tha se po kërkon marrëveshje tregtare “të përshtatura”, me vendet që i nënshtrohen vendosjes së tarifave të larta për mallrat e eksportuara në SHBA.

Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, tha në një intervistë për Fox Neës të martën pas bisedimeve telefonike Han-Trump, se Trump “padyshim i jep përparësi dy prej aleatëve tanë më të afërt dhe partnerëve tregtarë, Japonisë dhe Koresë”, duke shtuar se ka “shumë lëshime në tryezë”, pa dhënë detaje. Hassett shtoi se SHBA po trajton një “fluks masiv” thirrjesh nga partnerët tregtarë të SHBA.

Komentet e Hassett ishin në përputhje me postimin e Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social të martën pas bisedimeve të tij me Han, se ai “pati një telefonatë të shkëlqyer”. Ai shtoi se bisedimet u rrotulluan rreth suficitit “të jashtëzakonshëm” tregtar të Koresë së Jugut me SHBA-në, tarifat në tregtinë dypalëshe, ndërtimin e anijeve të Koresë së Jugut dhe blerjen e mundshme në shkallë të gjerë të gazit natyror të lëngshëm nga SHBA dhe ndarjen e kostove të mbrojtjes në lidhje me Forcat e SHBA-së në Kore, ndër tema të tjera.

Bang shprehu optimizëm për negociatat e mundshme.

“Trump ishte i hapur për negociata dhe nuk janë vetëm fjalë (që Trump po ofronte) nga këndvështrimi (Han)”, tha ai.

Bang gjithashtu përshëndeti vërejtjet e Trump në Truth Social të marten, që i referoheshin marrëveshjes tregtare të SHBA-së me Korenë e Jugut si “SHPALLJA NË NJË NDALESË”, të cilën Trump e përshkroi si “një proces të bukur dhe efikas”.

“Kur flasim për “një ndalesë”, është diçka që thjeshton procesin për një marrëveshje pakete,” tha Bang. “Unë e perceptova Trumpin si shumë të hapur për negociata.”

Bang tha se Han nuk shprehu keqardhje për tarifat “reciproke” prej 25 përqind të administratës Trump, të vendosura mbi pothuajse të gjitha mallrat e Koresë së Jugut gjatë bisedimeve telefonike. Han në një intervistë të mëparshme me CNN të marten, i përshkroi tarifat e SHBA si “për të ardhur keq”.

Lidhur me komentet e Han gjatë intervistës se Koreja e Jugut nuk ka gjasa të bashkohet me vende të tjera si Japonia apo Kina për të luftuar tarifat e Trump, Bang tha se presidenti në detyrë nuk kishte për qëllim të tregonte një refuzim për të bashkëpunuar me fqinjët e Azisë Lindore të Seulit, duke shtuar se Koreja do të ishte e hapur për të punuar me ta në projektin e ardhshëm LNG në SHBA.

Ndërkohë, bisedimet e së martës midis Han dhe Trump nuk u përqëndruan vetëm në tregtinë midis dy vendeve dhe bashkëpunimin në energji dhe siguri, por edhe në mënyrat për të kundërshtuar kërcënimet gjeopolitike në Azinë Lindore, të paraqitura nga provokimet bërthamore të Koresë së Veriut, sipas Bang.

Han dhe Trump arritën “pikë të përbashkët mbi denuklearizimin e plotë” të Koresë së Veriut, tha Bang.

Negociatat për tarifat midis Seulit dhe Uashingtonit pritet të përparojnë nëse Sekretari i Shtetit i SHBA, Marco Rubio viziton Korenë e Jugut muajin e ardhshëm. Megjithatë, në përgjigje të raporteve se Rubio po konsideron një ndalesë në Seul si pjesë e turneut të tij të ardhshëm në Azi, një zyrtar qeveritar në Seul mohoi pretendimin./ The Korea Herald.