anëtarët e dy fiseve
SHKODËR-Krimi vijon të mbajë peng Shkodrën! Përpos ngjarjeve kriminale, “lufta” e vërtetë, që ngjalli panik kulmoi në vitin 2018, me në krye dy fiset Bajri dhe Licët. Një tritol në janar të vitit 2018, shënoi fillimin e një sage ngjarjesh kriminale, ku plumbat nuk kursyen as familjarë, as njerëzit që kishin afruar pranë vetes dhe së fundmi as të pafajshëm.
Një sasi e konsiderueshme tritoli shpërtheu në atentatin ndaj të ashtuquajturit “burri i fortë” i Shkodrës, Lulzim Kulla, në lagjen “Rus” në Shkodër. Lulzim Kulla, dhëndër në falimjen Lici, i cili konsiderohej në atë kohë nga Policia e Shkodrës si kreu i një grupi kriminal, që prej vitesh nënshtron tregtarët e qytetit duke u vendosur “tarifë” të përmuajshme për garantimin e objekteve tregtare.
Pak kohë pas ngjarjes, Policia dhe Prokuroria deklaruan se zbardhën ngjarjen dhe arrestuan 3 personat që kishin vendosur eksplozivin. Të arrestuarit ishin Endri Çopja, Argel Lulaj dhe Serxho Teta, nga Elbasani, të cilët vazhdimisht mohuan akuzat. Derisa në nëntor të vitit 2020 Gjykata e Shkodrës i liroi për shkak se kishin mbaruar afatet e mbajtjes në paraburgim. Ndonëse më herët ishin zbutur masat e sigurimit për ta në “arrest shtëpie” e “detyrim paraqitje”. Megjithatë, porositësit e këtij atentati nuk u identifikuan asnjëherë.
Pas atentatit ndaj Lulzim Kullës, për dy vite me radhë në Shkodër pasuan një sërë ngjarjesh kriminale që dyshohet se ishin të lidhura me njëra-tjetrën.
Në 18 qershor 2018 vritet në servisin e Lulzim Kullës teksa po riparonte brava makinash, 60-vjeçari Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende kjo ngjarje është pa autor ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.
Në 15 korrik të po atij viti, poshtë banesës që kishin me qira, ekzekutohet çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe fëmija i tyre 3-vjeçar që i shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin “Bajri”. Ai dyshohet se kishte lidhje me atentatin e Lul Kullës në janar 2018, dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër. Për shumë kohë kjo ngjarje mbeti pa autor, edhe pse pati shumë shoqërime, por asnjë provë konkrete.
Më 10 gusht 2018, u vra Fatbardh Lici, anëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe ish-anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustafa Lici. Safet Bajri ka rënë në pranga të SPAK, për vrasjen e Fatbardh Licit. Prokuroria e Posaçme përmes një njoftimi zyrtar ka njoftuar se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të zbardhur ekzekutimin, për të cilin ‘fajësoi’, Behar dhe Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin. Po sipas SPAK, motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana.
Më 23 gusht, shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe xhaxha, u zhdukën dhe nuk janë gjetur deri më sot. Këta dy shtetas dyshohet se kanë lidhje me fisin Lici. Pas zhdukjes së tyre vetëm 4 ditë më vonë, më 27 gusht u vra Prendush Fusha.
Por, vrasjet nuk u ndalën me aq, më 1 shtator u ekzekutua biznesmeni Arjan Ferracaku, dy muaj më vonë në 14 nëntor, mbeti viktimë Fatos Ferracaku, i cili ishte kushëriri i Arjanit dhe ishte tregtar peshku.
Ekzekutimet vazhduan deri më 2019. Më 30 mars të vitit 2019 një vrasje e dyfishtë në lagjen “Guerrile” trondit sërish Shkodrën. Ekzekutohen dy vëllezër, Astrit dhe Brahim Bilali, 59 e 61 vjeç. Ngjarja u konsiderua si vazhdim i sagës së përgjakshme mes dy fiseve Bajri e Lici. Një muaj pas ngjarjes u arrestuan 2 persona të dyshuar si autorë, Arsen Stojku dhe Mislim Rama, ndërsa u shpall në kërkim Ibrahim Lici dhe Denis Brahimin.
Në 2020 u vra Ridvan Hyseni, i cili u qëllua për vdekje nga vëllezërit Duel dhe Hydajet Mehmedaj, të cilët pak më parë ishin konfliktuar me djalin e tij. Mehmedajt konsiderohen si fis “i fortë” në zonën Shkodrës dhe janë nipat e Gëzim Mehmedajt, i cili në vitin 1992 vrau efektivin e RENEA-s, Arben Ujka. Të njëjtat burime bëjnë me dije se po kjo familje ka marrëdhënie të forta me atë të Ibrahim Licit, i cili është një prej të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve, Astrit dhe Brahim Bilali. Por nga sa u provua nga Policia e Shtetit, vrasja ka ardhur si pasojë e një sherri të çastit.
Një vit më vonë u vra Bardhok Pllanaj, ‘Kumbari’ i Shkodrës! Pllanaj u ekzekutua më 4 prill në lagjen Dobraç të Shkodrës. Autorët e ndoqën dhe ecën paralelisht me të për 150 metra dhe zbrazën 120 plumba kallashnikovi me mjetin “Range Rover”, ku dhe ndodhej ‘Kumbari i Shkodrës’. Më pas dogjën mjetin dhe u larguan. Edhe për këtë ngjarje nuk ka të arrestuar.
Mbrëmjen e 15 majit të vitit 2021, Endri Mustafa u largua nga shtëpia dhe u gjet i vrarë dy ditë më pas në zonën e Livadheve në Shkodër. Personi i fundit që kishte takuar Mustafa para se të zhdukej, ishte 15-vjeçari Ergys Malja. Ai është shoqëruar i pari në praninë e prindërve për t’u marrë në pyetje. Ndërsa më pas është arrestruar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Endri Mustafa. I mituri ka pretenduar në dëshminë e tij, dhënë për Policinë, se personi që e ka vrarë Endri Mustafën është Ibrahim Lici. Policia zhvilloi kontrolle për të shoqëruar Licin, por ai nuk u gjet asnjëherë. Prokuroria e Shkodrës mbylli hetimet në mars të vitit 2023 dhe Ibrahim Lici u akuzua zyrtarisht për vrasje.
Goditja e fundit kriminale në sagën e përgjakshme është ajo e 30 Tetorit 2024 në Dobraç të Shkodrës, ku u ekzekutuan Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha.
Objektiv i atentatit dyshohet se ishin dy nga viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, por edhe një person tjetër që mendohet se udhëtonte me ta në makinë dhe që dita ditës pas hetimeve ka dyshime të ketë qenë Ibrahim Lici. Prezenca e tij në automjet nisi të diskutohej pas pamjeve që u publikuan në media, ku një person i gjakosur shihej pranë trupit të pajetë të Hamza Licit. Ekzekutimi ndodhi në zonën e “Dobraçit”, ku jetojnë anëtarët e fisit Bajri. Disa javë pas atentatit, dosja ishte në duart e SPAK.
Vrasja e djalit të vogël të familjes Lici, pasoi heshtje deri në 8 shtatorin e 2025, rreth një vit më vonë. Saga e përgjakshme u rindez sërish. Krahu i djathtë i Licëve, Barush Bregu dhe një 17-vjeçar janë shpallur në kërkim, si bashkëpuntorë në masakrën e ndodhur mëngjesin e 8 shtatorit në Shkodër, ku Armando Pali dhe Liridon Kraja humbën jetën, ndërsa shënjestra Erogen Vaso, vëllai i të arresuarit Denis Brajoviç dhe një kamariere mbetën të plagosur.
Shkodra vijon të përgjaket, dhe qytetarët mund të marrin frymë lirisht vetëm atëherë kur kjo ‘luftë’ të përfundojë…por paqja, duket një opsion i pamundur për dy fiset./ZËRI
