Balluku zbulon projektin amerikan: Park eolik në Tropojë!

Belinda Balluku

TIRANË-Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i parkut eolik në Tropojë, një projekt i konsideruar ndër më të rëndësishmit në Evropë dhe i mbështetur nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane.
Në fjalën e saj në panelin me temën “Prioritetet ekonomike dhe projektet kyçe”, zhvilluar në kuadër të konferencës 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë në Tiranë, Balluku theksoi se projekti ndodhet aktualisht në fazën e procedurave të autorizimit dhe financimit.
“Vendi ynë e ka bazuar prodhimin e energjisë vetëm në burime hidro. Në këto 6 vite kemi arritur të ngrejmë 30% kapacitet prodhuese të vendit, bazuar në një burim të ri energjetik, siç është dielli. Në muajt në vijim po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha në Evropë të prodhimit energjetik eolik, për parkun e erës të vendosur në zonën e Tropojës, që ka nisur të gjitha procedurat e autorizimeve, e financuar nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane e që do t’i shtojë kurorës tonë energjetike një tjetër komponent të gjelbër. Projektet e mëdha nuk do kontribuojnë vetëm në ekonominë shqiptare, por rajonale, që kontribuojnë në ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor. Kemi investuar shumë në vitet e fundit në infrastrukturën rrugore, si një nga infrastrukturat parësore dhe të preferuara nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga vizitorët e huaj. Në këto 10 vite kemi ndërtuar mbi 1000 km rrugë, mmi 30 km tunele e më shumë 21 km ura, për të ndërlidhur veriun me jugun, lindjen me perëndimit, për të ndërlidhur Shqipërinë me vendet e tjera e për të shkurtuar kohën e udhëtimit maksimalisht,”-u shpreh Balluku.
Parku eolik në Tropojë do të jetë një nga projektet kyçe të strategjisë kombëtare për tranzicionin e gjelbër, duke kontribuar në qëllimin afatgjatë të Shqipërisë për ta bërë energjinë e rinovueshme një shtyllë të zhvillimit ekonomik. Ky projekt do të përqendrohet në rritjen e kapaciteteve të ripërtëritshme dhe do të hapë mundësi të reja investimi për kompanitë ndërkombëtare./ZËRI