Mustafa Lici, Bajram Bregu dhe Ibrahim Lici
SHKODËR-Barush Bregu-ky është emri që ndryshoi dinamikën e atentatit me dy viktima dhe dy të plagosur mëngjesin e 8 shtatorit në Shkodër! Bregu, i cili ka mbajtur emrin Bajram deri në vitin 2012, i ka çuar hetuesit drejt pistës së përplasjes mes dy fiseve në armiqësi prej vitesh me njëra-tjetrën në Shkodër, Bajri-Lici.
I njohur si krahu i djathë i Licëve dhe i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Shkodër, do të dilte sërish edhe në këtë atentat. Por cili ishte roli i tij, në atentatit, ku objektiv dyshohet të ketë qenë Erogen Vaso Brajoviç, vëllai i Denis Bajrit?
Policia e Shkodrës njoftoi, sot se ka shpallur në kërkim Barush Bregun 39-vjeç, dhe një 17-vjeçar të cilët dyshohen se i kanë siguruar armët autorit të ngjarjes, Ragip Gilës, i cili qëllo në drejtim të anëtarit të Bajrave, duke lënë të vdekur dy miqtë e këtij të fundit, Armando Palin dhe Liridon Krajën. Objektivi nuk u arrit! Erogen Vaso Brajoviç mbeti i plagosur me tre plumba në trup, bashkë me kamarieren 25-vjeçare.
Barusha i siguroi armët dhe mjetet që i duheshin Gilës. Bregu së bashku me 17-vjeçari, akuzohen për sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje. Emrit të Barushës në ‘skenë’, i shtohet një tjetër element-një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej prej tij, si bazë për aktivitete kriminale, ku u sekuestruan 7 armë zjarri, 45 kapsolla, maska, dronë dhe municion luftarak. Banesa rezulton në pronësi të hallë së Ibrahim Licit, që jeton në Turqi.
Kush është Barush Bregu, njeriu ‘kyç’ i vrasjeve për llogari të fisit Lici?
39-vjeçari është i dyshuar si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, por edhe i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Në vitin 2016 ai është dënuar me 4 vite burgim për kultivim të lëndëve narkotikem dhe armëmbajtje pa leje. Dy vite më vonë, në 2018 gjatë një aksioni policor, të zhvilluar pas ekzekutimit mafioz të Fatbardh Licit, xhaxhait të Ibrahim Licit u zbuluan armë automatike. Në njërën nga armët u gjetën gjurmë gishtërinjsh të Barush Bregut.
Bregu u arrestua në 2019-ën nga një operacion i RENEA-s me snajperë të vendosur në pika të larta të pallateve, e cila bastisi banesën ku fshihej i riu. Në pranga ra edhe Bajram Çekorja nga Shkodra, personi që e kishte ndihmuar të fshihej.
Policia dyshon se Barush Bregu ka ndihmuar shokun e tij Ibrahimin në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit, krahut të djathtë të grupit Bajri.
Emri i Barush Bregut do të përmendjen edhe në atentatin e ndodhur në gusht të vitit 2024, ku viktimë mbeti Elis Rroshkodoli. 36-vjeçari, i njohur për miqësinë e tij me Bajrajt u qëllua me breshëri arme teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në zonën e Zdrales. I ndjeri Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu, babain e Barush Bregut.
Tashmë, Bregu rezulton i pëfshirë edhe në masakrën e djeshme ku mbeti i vrarë në vend Armando Palo dhe Liridon Kraja, truproja e Erogen Brajoviç./ZËRI
